Secondary Adv

Gjykata e Larte pezulloi punimet, vijon ndertimi i hidrocentraleve ne Valbone

Në korrik pas luftës së gjatë ligjore nga banorët e Luginës së Valbonës, Gjykata e Lartë vendosi të pezullojë të gjitha punimet ne hidrocentralet e sipër përmendura.

 

Sipas vendimit, pezullimi i punimeve do të mbetet i vlefshëm derisa Gjykata të vendosë nëse ndërtimi i hidrocentraleve është bërë në përputhje me ligjin. Gjykata përkatëse ende nuk ka marrë një vendim, duke e bërë të paligjshëm ndërtimin aktual të hidrocentraleve brenda Parkut Kombëtar. "Fatkeqësisht, nuk është për t'u habitur që investitori po injoron plotësisht vendimin e gjykatës.

 

Siç mund të dëshmojnë banorët në zonë, veprimtaritë e jashtëligjshme kanë vazhduar prej kohësh. Vlen gjithashtu të rikujtohet se këto projekte nuk ishin transparente që nga fillimi, pa dëgjesa dhe konsultime të duhura publike.

 

Për më tepër, u falsifikuan nënshkrimet e njerëzve duke prishur procedurën ekzistuese për të mbrojtur interesat kombëtare dhe publike. Besimi i njerëzve në sundimin e ligjit në Shqipëri është në rrezik kur investitorët shpërfillin vendimin e Gjykatës së Lartë sikur ligji të mos ishte i zbatueshëm për ta”, thotë Rea Nepravishta nga WWF Adria.


“Është vërtetuar pa asnjë dyshim se projektet e vogla hidroenergjetike shkaktojnë dëme joproporcionale në krahasim me energjinë elektrike që prodhojnë. Shqipëria është tepër e varur nga hidrocentralet si burimi kryesor i energjisë dhe qeveria duhet të shikojë drejt burimeve të tjera të qëndrueshme dhe të rinovueshme të energjisë, veçanërisht ato diellore”, përfundon ajo.


A do të reagojnë autoritetet kompetente? Sa kohë u duhet komuniteteve lokale të vuajnë akoma nga veprimtaritë e jashtëligjshme dhe uzurpimi i natyrës? WWF Adria u bën thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse që të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe të ndalojnë të gjitha punimet e paligjshme në Parkun Kombëtar.

 

Vendi duhet të shikojë drejt zgjidhjeve më të qëndrueshme, miqësore me natyrën në lidhje me kërkesat për energji, duke vënë nevojat e natyrës dhe njerëzve në radhë të parë./ Marrë nga faqa WWF Adria, misioni i së cilës është të krijojë një botë ku njerëzit dhe natyra jetojnë në harmoni./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat