
Informaliteti i bizneseve, burgu dhe gjobat hyjne ne fuqi qe nga janari 2016
Duke nisur nga janari i vitit 2016 do të hyjë në fuqi dënimi me burg dhe gjobat për cdo biznes që kapet me evazion fiskal.
Të gjitha ndryshimet e bëra më 30 dhjetor 2014 për masat ndëshkuese për evazionin tatimor, nuk gjejnë zbatim në praktikë. Sipas këtyre ndryshimeve, të cilat janë në fuqi, tatimorët kanë të drejtë të vendosin gjoba të rënda, të bëjnë sekuestrime dhe kallëzime penale në rast të konstatimit të mungesës së kasës fiskale apo moslëshimit të kuponit fiskal. Projektligji i shpërndarë ditën e shtunë nga Financat, thjesht ka bërë 10 apo 20-fishim të gjobave dhe ka afruar dënimin me burg që në herën e dytë. Deri tani ndryshimet e bëra në 2014-n nuk janë vënë asnjëherë në zbatim, kjo edhe për arsye të situatës politike (zgjedhjet vendore). Operacioni do të jetë prova e parë.
Evazioni fiskal
Ndryshimi radikal që u bë para shtatë muajsh, ka të bëjë me futjen e dënimit me burg për ata që kapen në evazion fiskal pas dënimeve administrative të marra. Fshehja apo shmangia nga pagimi i detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas ligjit, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara apo deklaratave ose informacioneve të rreme, që çojnë në përllogaritjen e pasaktë të shumës së tatimit, taksës apo kontributit, përbën evazion tatimor dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhet të ishte në fakt. Sipas shtesës së bërë, në rast se pas gjobës përsëritet fshehja e të ardhurave, bëhet kallëzim penal.
Puna e zezë
Në nenin 119 të ligjit për procedurat tatimore, për mosdeklarimin e punonjësve, ashpërsohen gjobat dhe vendoset si klauzolë kallëzimi penal në rast të përsëritur. Subjekti dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar. Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 500 mijë lekësh, ndërsa biznesi i vogël, me gjobë prej 50 000 lekësh. Çdo konstatim i përsëritur i mosdeklarimit të punonjësve, pas aplikimit të dënimit administrativ, konsiderohet evazion, prandaj administrata tatimore ushtron të drejtën e kallëzimit penal. Po ashtu, për mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore, në dhjetor 2014, përveç sekuestrimit parashikohet kallëzimi penalisht i tatimpaguesit.
Kasat
Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale, për lëshimin e kuponëve fiskalë e të biletave, janë shtesat më të plota që janë bërë në ligj. Kështu, tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se nuk instalon pajisjen fiskale ose sisteme të monitorimit të qarkullimit: herën e parë, me gjobë në masën 50 mijë lekë; nëse pas verifikimit të parë, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit; çdo konstatim i mëpasshëm i mosinstalimit të pajisjes fiskale, konsiderohet evazion tatimor, prandaj bëhet kallëzim penal për tatimpaguesin. Kur nuk lëshohet kupon tatimor, gjoba është 200 mijë lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin. Moslëshimi i kuponit nga biznesi i vogël dënohet 50 mijë lekë. Për herë të dytë gjoba është 300 000 mijë lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 100 mijë lekë për biznesin e vogël. Për herë të tretë, sipas ligjit në fuqi, të ndryshuar në 2014-n, bëhet kallëzim penal. Gjoba të kripura ka edhe për ata që nuk i mbajnë në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit. Gjoba është në masën 40 mijë lekë. Një gjobë tjetër, 25 mijë lekë, është parashikuar për ata që nuk lajmërojnë menjëherë defektin.
Dënime të tjera
“Dënime të tjera” është titulli i nenit 128/1, i shtuar në fund të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për mospagimin e TVSH-së ose deklarimi i faturave të pasakta. Për shkeljet e konstatuara në rastin kur përgjegjës për TVSH-në është personi i tatueshëm blerës nëpërmjet “autongarkesës së TVSH-së”, aplikohen dënimet me gjobë 10 mijë lekë për biznesin e vogël dhe 50 mijë lekë për biznesin e madh. Po në këtë paketë u vendos edhe një dënim për bankat dhe institucionet financiare. Kur banka nuk bllokon shumën e kërkuar, ajo paguan gjobë të barabartë me 0,2 për qind në ditë të detyrimit të pambajtur, por jo më pak se 100 mijë lekë në ditë. Në nenin 131 të ligjit për procedurat tatimore, që bën fjalë për veprat penale, është bërë një ndërhyrje, në bazë të së cilës, ai që me dashje nuk mbledh detyrimin tatimor dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore ose nuk i paguan ato në buxhet, kallëzohet penalisht. Pra, ligi ka ekzistuar dhe duhej punuar “që në gusht, nga një grusht”.
Subjektet pasive
Me ndryshimin e bërë, administrata tatimore qendrore publikon në faqen zyrtare të internetit listën e subjekteve që janë në regjistrin pasiv. Çdo transaksion i kryer me subjekte të regjistrit pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj.
Çregjistrimi
Qendra Kombëtare e Regjistrimit ose gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se, brenda afatit 30-ditor, administrata tatimore e kundërshton me shkrim. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit.
Biznesi i vogël
Edhe për bizneset e vogla tani duhen dokumente kontabël. Biznesi i vogël, që është subjekt i ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, për përllogaritjen e detyrimit tatimor, duhet të mbajë regjistra, libra dhe dokumente të tjera, si dhe të lëshojë një faturë të thjeshtë tatimore apo kuponë tatimorë.
Faturat
Subjektet që detyrohen të lëshojnë kuponë tatimorë lëshojnë njëherazi edhe faturë, nëse shitja apo shërbimi i kryer është për një përdorim tregtar dhe, për këtë shkak, blerësi është i detyruar ta kërkojë faturën. Ky ndryshim është bërë më 30 dhjetor 2014, me qëllim dokumentimin e veprimeve.
Pagesat “cash”
Tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, nuk mund të kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë, kur vlera e transaksionit është më e madhe se 150 000 lekë. Pra, për të mos kaluar këtë kufi, transferta duhet të bëhet përmes bankave ose institucioneve financiare.
Gjobë qesharake
Dënim qesharak për kompanitë e huaja, në rast të mosparaqitjes në kohë të “Njoftimit të transaksioneve vjetore të kontrolluara”, në përputhje me udhëzimin “Për transferimin e çmimit”. Në një kohë që ato i nxjerrin fitimet jashtë dhe i paraqesin si kosto, gjoba është 10 mijë lekë./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








