Secondary Adv

Sot fillon skanimi ne dogana, bizneset paralajmerojne rritjen e cmimeve

Qeveria shqiptare ka aktivizuar koncesionin e skanimit të kontejnerëve në dogana. Një taksë e re do të vihet mbi të gjitha deklaratat doganore 22 euro mbi vlerat 1000 euro dhe 5 euro nën këtë vlerë. Ndërkohë që bizneset paralajmërojnë që do e reflektojmë në rritjen e çmimeve.


Ka filluar nga sot zbatimi i koncesionit të skanimit të kontejnerëve, nga “S2 Albania” një konsorcium amerikano–shqiptar (51% të aksioneve zotërohen nga amerikanët e “Rapiscan Systems” dhe 49% nga kompania shqiptare ICMS), kontrata e rishikuar e të cilit u dorëzua në Kuvend në kulmin e fushatës për zgjedhjet vendore. Koncesioni i dhënë nga qeveria “Berisha” në ikje në fillim të vitit 2013 nis aplikimin, duke marrë 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (tarifa është përgjysmuar në raport me kontratën e mëparshme).


Pavarësisht uljes, kontrata e rishikuar e skanimit nuk është se ka lehtësuar barrën si për biznesin ashtu edhe për buxhetin. Në marrëveshjen fillestare deklaratat doganore deri në 1000 euro nuk paguanin për shërbimin, ndërsa me rishikimin do të paguajnë 5 euro. Gjithashtu në variantin e ri, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit. Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të kontejnerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit i kushton biznesit shqiptar 12 milionë euro në vit, në ulje gjithsesi nga kosto e kontratës së mëparshme prej 20 milion euro, sipas deklarimeve të sipërmarrjes, që i kërkoi qeverisë vitin e kaluar rishikimin e kontratës.


Kjo vlerë në raport me të ardhurat që mbledhin doganat në një vit zë 1.6% të totalit, duke u shndërruar për disa biznese sidomos ato të sektorit fason ndër taksat me barrën më të lartë në aktivitetin e tyre. Grosistë të tregut të karburanteve kanë pohuar se për disa prej tyre, taksa për skanimin do të krijojë një kosto 2-3 mijë euro në ditë, e cila pritet që të përcillet në çmimet finale të produkteve. Kontrolli fizik me skaner ndaj kontejnerëve do të kryhet nga një kompani në një situatë tërësisht monopoli. Ky shërbim që aktualisht kryhet nga dogana synon rregullshmërinë në eksport dhe import, duke shmangur transportin e lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore dhe mallrave kontrabandë.

22 euro çdo deklaratë doganore
Sipas kontratës së rinegociuar, skema e pagesës së biznesit për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesën do ta kryejnë të gjitha bizneset. Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Është konsideruar një rritje mesatare vjetore e deklaratave doganore prej 6%.


Nga të dhënat historike të 10 viteve të fundit, rritja mesatare vjetore luhatet nga 5 në 13%. Pagesa mesatare për deklaratë me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro, për gjithë periudhën, rezulton 22 euro. Për deklaratën doganore me vlerë të barabartë ose më të vogël se 1 000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro.

Bizneset: Kostot do reflektohen në çmime
Logjika e do, por edhe praktika e thotë që çdo taksë dhe tarifë ndaj biznesit reflektohet në çmimet finale. Kjo do të vlejë edhe për tarifën që do vihet mbi deklaratat doganore e cila, sipas bizneseve, do të reflektohet në çmime. Muharrem Hoxha, me aktivitet në dhënien me qira të kamionëve dhe kontejnerëve në transport ndërkombëtar, “Riu Transport” tha se, klientët e tij janë shumë të shqetësuar për tarifën që shkon për llogari të skanimit. Biznese të veçanta bëjnë me dhjetëra deklarata doganore në ditë, por për shkak të aktivitetit që kanë edhe në transit, kostot për to, do të jenë shumë të larta. Mirëpo siç kanë lajmëruar tregtarët, kjo tarifë e palogjikshme sipas tyre, do të shkarkohet në çmimet finale dhe me shumë gjasa, do të jetë konsumatori ai që do të paguajë. Kjo tarifë rrezikon të rrisë të gjitha çmimet e importit lajmërojnë ekspertë të sektorit të doganave. Shoqata e Hidrokarbureve lajmëroi se, nëse tarifa e skanimit aplikohet për çdo deklaratë doganore, rritja e mëtejshme e çmimeve të karburanteve do të jetë e pashmangshme.


Biznesi fason më i godituri
Të gjithë bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre nëpërmjet eksport- importit do të ekspozohen ndaj kostove të larta të skanimit. Por biznesi i fasonit do të jetë më i godituri për shumë e arsye. Këto biznese do të paguajnë 22 euro për çdo deklaratë të lëndës së parë për prodhimin e veshjeve dhe këpucëve. Por do të paguajnë sërish 22 euro për çdo deklaratë rieksporti të produktit final. Kjo masë, sipas bizneseve, është një goditje e rëndë ndaj sektorit, i cili këtë vit po vuan barrën e lartë fiskale dhe çmimin e lartë të energjisë, të cilët kanë ndikuar në frenimin e rritjes së eksporteve. Por më e rënda është se, bizneset që po shkojnë drejt prodhimit gjysmë të gatshëm apo të gatshëm që konsiderohen si pjesa më e shëndetshme e sektorit, rrezikojnë të “fundosen” nga tarifa e skanimit.


Skanimi
Është parashikuar që kompania amerikane “Rapiscan Systems” të instalonte skanerë për kontrollin e imtësishëm të kontejnerëve. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhen në kontejnerin për zhdoganim, verifikonin fizikisht ngarkesën.


Projekti i kontrollit me skanim nga “Rapiscan” u parashikua të zbatohej minimalisht në pesë pika doganore kufitare, përfshirë dhe Portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncesionare, në Portin e Durrësit do të vendosej të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohej nga autoritetet doganore, bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanoheshin 100% e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë, në listën e mjeteve që do të skanohen, mund të shtohen me kërkesë të autoritetit doganor, edhe mjetet e transportit të udhëtarëve.


Më të lexuarat