Secondary Adv

Nga sot Green Pass i detyrueshem per cdo punonjes ne Itali

Prej ditës së sotme, në Itali është e detyrueshme pajisja me pasaportën shëndetësore për çdo punonjës të sektorit publik e privat.

 

Ata që nuk e kanë nuk do të lejohen të hyjnë në qendrën e punës e çdo ditë mungesë do të konsiderohet e pajustifikueshme e nuk do të paguhet. Pasaporta shëndetësore, apo Green Pass, vërteton se punonjësi ka kryer një apo dy doza vaksinë, apo ka kaluar Covid-19 brenda 6 muajve të fundit. 

 

Të gjithë punonjësit e tjerë që nuk kanë bërë vaksinën e nuk kanë kaluar virusin, për të punuar do të duhet të kryejnë tamponin e shpejtë çdo 48 orë ose atë molekularë çdo 72 orë, e të dorëzojnë rezultatin e tyre në qendrën e punës.

 

Çdo sipërmarrës privat ka përgjegjësinë për kryerjen e kontrolleve ndaj punonjësve që duhet të respektojnë këto rregulla, ndërsa në sektorin publik do të jetë përgjegjësi e administratës së brendshme me anë të një aplikacioni teknologjik "Verifica19" apo software që po përdoret aktualisht dhe në shkolla, e i vënë në dispozicion nga qeveria.

 

Çdo punonjës që do të gjendet pa Green Pass rrezikon një gjobë nga 600 në 1500 euro e punëdhënësi apo përgjegjësi për ta kontrolluar do të gjobitet nga 400 në 1000 euro. Detyrimi i Green Pass në sistemin e punës nuk do të përjashtoj rregullat e distancimit social si 1 metër nga njëri tjetri e përdorimi i maskës shëndetësore në ambientet e mbyllura.

 

Një ditë më parë deri në orët e vona të natës radha të gjata janë verifikuar pranë farmacive për kryerjen e tamponëve, pa të cilët asnjë punonjës i pavaksinuar nuk do të lejohet të punoj.

 

Gjatë ditës së djeshme grupet sindikaliste italiane janë takuar me kryeministrin Mario Draghi duke kërkuar që kjo rregull të nis zbatimin më datën 1 tetor e kosto e tamponëve të jetë në ngarkim të punëdhënësve, por që nuk u pranua nga ekzekutivi italian.

 

Një tampon i shpejtë në Itali kushton 8 euro për të rinjtë deri në moshën 18 vjeç e 15 euro për të rriturit. Çdo punonjës i pavaksinuar, në një javë pune, i duhen të paktën 45 euro për të paguar tamponët e për të punuar. Do të përjashtohen nga rregulli i detyrueshëm i Green Pass, ata punonjës që mjeku ia ka këshilluar mos vaksinimin./Burimi: OraNews


Më të lexuarat