Secondary Adv

Shtrenjtohen tarifat e komunikimit per telefonatat nderkombetare

Operatorët celularë kanë ulur tarifat e komunikimit ndërkombëtar brenda vendeve anëtare të BE-së dhe i kanë shtrenjtuar ato për vende jo anëtare si Shqipëria.


Tarifat e telefonatave me vend origjine Shqipërinë kundrejt shteteve të tjera të Europës dhe jo vetëm, kanë pësuar një rritje të ndjeshme në javët e fundit. Shkak për këtë rritje është bërë shtrenjtimi i tarifave të operatorëve të vendeve të huaja kundrejt operatorëve shqiptarë.Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, shtrenjtimi i telefonatave ndërkombëtare vjen si pasojë e rritjes së tarifave të interkoneksionit, pagesë që detyrohen ta paguajnë operatorët shqiptarë te ata të huaj për thirrjet dalëse. “Tarifat e thirrjeve të vendeve të BE-së janë nën rregullim dhe kanë pasur reduktim të ndjeshëm në kosto vitet e fundit,” tha për BIRN Altin Rrapaj, Drejtor i Mbikëqyrjes së Tregjeve, Tarifave dhe Shërbimit Postar.


“Më parë operatorët e vendeve të BE-së nuk bënin diferencim të vendit të origjinës së telefonatës brenda apo jashtë Bashkimit Europian, por kohët e fundit ato kanë vendosur të diferencojnë tarifat në varësi të vendit, gjë që ka sjellë shtrenjtim për operatorët shqiptarë,” shtoi ai.Shumica e shërbimeve telefonike në Shqipëri ofrohen përmes paketave mujore dhe jo si kosto e çdo telefonate të kryer. Deri në muajin korrik këto paketa përmbanin oferta për qindra minuta lidhëse ndërkombëtare.


Ndryshimet e fundit i kanë detyruar të gjithë operatorët telefonikë në vend të ofrojnë maksimalisht deri në 20 minuta me jashtë në paketat e tyre. “Minutat ndërkombëtare në paketat mujore kanë ndryshuar pasi kostoja e tyre është shumëfishuar në krahasim me vlerën e një pakete. Shpresojmë që operatorët e huaj të ulin sërish tarifat e tyre,” tha për BIRN PLUS Communication, një nga katër kompanitë celulare që operojnë në tregun shqiptar.
Të njëjtën arsye për shtrenjtimin e tarifave ndan edhe operatori Vodafone Albania.


“Vendimi për shtrenjtimin e paketave me minuta ndërkombëtare vjen si pasojë e rritjes së kostove për telefonatat ndërkombëtare të cilat kanë afektuar të gjithë operatorët në Shqipëri,” tha kompania për BIRN. Tarifat aktuale janë mesatarisht 165 lekë/minuti për vendet Europiane dhe 256 lekë/minuti me shtetet e tjera të botës.


Sipas drejtorit të mbikëqyrjes së tregjeve, tarifave dhe shërbimit postar, Altin Rrapaj, ndryshimi i tarifave është plotësisht konform rregullimit të BE-së dhe mbetet në dorë të operatorëve europianë, ku disa prej tyre e aplikonin diferencimin edhe më parë. Tarifat e komunikimit brenda Bashkimit Europian janë më të lira, por Shqipëria mbetet një vend kandidat për t’u anëtarësuar, gjë që përkthehet në tarifa më të shtrenjta për konsumatorët vendas./BIRN


Më të lexuarat