Bizneset do zgjedhin vete furnizuesin e energjise, rregullorja e re e ERE
ERE ka miratuar draftin e rregullores për arritjen e treguesve të matjes dhe vlerësimit nga ERE, të performancës së shërbimit ndaj klientit, për të gjithë furnizuesit e energjisë.
Përpara miratimit përfundimtar, rregullorja do të nxirret në konsultim publik me palët e interesit. Përveç vendosjes së standardeve që furnizuesit duhet të përmbushin për një shërbim cilësor, draft-rregullorja parashikon edhe të drejtën e monitorimit të këtyre treguesve, nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas Bordit të ERE-s, miratimi i kësaj rregulloreje është tejet i rëndësishëm, pasi përveç klientëve të lidhur në tensionin 35 KV, të cilat tashmë kanë dalë në treg të lirë energjie, pritet edhe dalja e klientëve në 20 KV, që kanë edhe më të konsiderueshëm në numër.
Në fakt, liberalizimi i klientëve të lidhur në 20 KV, duhej të kishte përfunduar që në shtatorin e 2020, por procesi është vonuar. Liberalizimi nënkupton që të gjithë këta abonentë do të kenë mundësi të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë, si dhe të nënshkruajnë kontrata individuale mes tyre, ku ndër të tjera përcaktohet edhe çmimi me të cilin do të blejnë energjinë.
Hapja e tregut synon të sigurojë çmime konkurruese për të gjithë këta klientë, të cilët aktualisht furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është pjesë e OSHEE Group, me tarifa që përcaktohen nga Enti Rregullator i Energjisë./Burimi: Scan