Secondary Adv

Instituti kerkimor nderkombetar: Shqiperia e fundit ne Europe per zbatimin e ligjit

Shqipëria renditet e 83-a nga 139 shtete, e fundit në Europë, në Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021.

 

Shqipëria merr 0.49 pikë, me rënie me 0.01 pikë në raport me një vit më parë (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë). Në krahasim me renditjen e 2018-2019, kur ishte në vendin e 71, (0.51 pikë), Shqipëria është përkeqësuar me 12 pozicione.

 

Indeksi mat zbatimin e ligjeve në praktikë, përmes sondazheve me popullatën dhe pyetësorëve të kualifikuar, duke dhënë informacion origjinal që reflekton përvojën dhe perceptimin e publikut të përgjithshëm, në 139 vende.

 

Raporti thekson se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla. Shqipëria ka pozicionimin më të keq në Europë dhe rajon, duke ia kaluar dhe Serbisë, që deri tani renditej e fundit.

 

Në raportin e 2020-2021, Serbia u pozicionua në vendin e 81. Qeverisje më të fortë ka Maqedonia (në vend të 64), Bosnja është në vend të 72 (Në renditje nuk përfshihen Mali i Zi dhe Kosova).

 

Shqipëria ka një renditje tepër negative në treguesin e korrupsionit, ku është në vendin e 105 nga 139 vendet (duke u përkeqësuar në raport me vitet e mëparshme kur ishte në vend të 93 dhe më pas 103).

 

Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon. Bosnja është në vend të 87, Maqedonia e Veriut në vend të 72, Serbia në vend të 84. Në përgjithësi, të gjitha vendet e rajonit kanë bërë hapa pas me korrupsionin vitet e fundit.

 

Treguesi i korrupsionit mat ryshfetin, pagesat informale, konkurrencën në kontratat e punëve publike, ryshfetin në gjyqësor dhe politikë etj. Shqipëria ka bërë një përkeqësim të dukshëm edhe në treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, ku renditet në vendin e 109, nga pozicioni i 79 në raportin e 2018-2019, duke u pozicionuar krah shteteve si Afganistani, Mozambiku, Uganda, Kazakistani etj.

 

Shteti i dytë më afër Shqipërisë, është Maqedonia e Veriut, në vend të 92. Ky tregues mat shkallën në të cilën ata që qeverisin janë të kufizuar nga ligji. Ai mat sa i pavarur është gjyqësori, sa funksionojnë agjencitë audituese dhe sa pavarësi kanë ato të bëjnë kontrolle ndaj qeverisë;

 

nëse zyrtarët hetohen dhe dënohen për shkelje; nëse mediat janë të pavarura; nëse zyrtarët zgjidhen sipas rregullave e procedurave të parashikuara nga kushtetuta. Korrupsioni dhe kufizimet në fuqinë e qeverisë janë dy treguesit ku Shqipëria ka renditjen më negative, në Indeksin e fundit të Zbatimit të Ligjit.

 

Në qeverisjen e hapur, vendi është në pozicionin e 82. Më mirë është në tregun e të drejtave themelore (66), dhe të renditu dhe sigurisë (47), ndonëse me përkeqësim, nga pozicioni i 31 që ishte në 2018-2019. Për të drejtën civile jemi  në vendin e 92, për drejtësinë kriminale (80).

 

Tre shtetet me ecurinë më të mirë në raportin e 2020-2021 ishin Danimarka (1), Norvegjia (2) dhe Finlanda (3); një renditje që mbetet e pandryshuar. Tre të fundit janë Kongo (137), Kamboxhia (138) dhe Venezuela (139), edhe këta të pandryshuar në krahasim me renditjet e mëparshme.

 

Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/shqiperia-e-fundit-ne-europe-per-indeksin-e-zbatimit-te-ligjit-kampione-ne-korrupsion-rritet-fuqia-e-qeverise/


Më të lexuarat