Secondary Adv

Bashkite mbledhin 35.8 mln euro me shume se ne 2020

Lehtësimi i masave anti-COVID, si dhe shfrytëzimi me kapacitet të plotë i sezonit veror ka ndihmuar pushtetin vendor të arrijë shifra rekord në realizimin e të ardhurave.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat e bashkive në 9 mujor janë më të lartat që nga viti 2010. Konkretisht deri në fund të shtatorit pushteti vendor mblodhi 173,9 milionë euro ose rreth 35.8 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Po ashtu rritje ka edhe krahasuar me vitin 2019, kur u mblodhën 156.6 milionë euro në total në 9 muaj. Kontributin më të madh pozitiv në rritjen e të ardhurave sipas Ministrisë së Financave e ka dhënë taksa e infrastrukturës, që mblidhet nga lejet e ndërtimit apo projektet infrastrukturore, dhe ndikim këtu ka dhënë rindërtimi.

 

Po ashtu ndikim kanë dhënë taksa mbi pasurinë, taksa mbi ndërtesën si dhe tarifat e tjera lokale që mbledh pushteti vendor. Nga ana tjetër shpenzimet e bashkive janë ulur këtë vit, dhe kanë kapur nivelin e 2017.

 

Edhe pse po hidhen shumë para për procesin e rindërtimit, dhe po kryhen shumë investime të shtrira në disa bashki, shpenzimet në 9-mujor ishin 301,4 milionë euro, nga 339,9 mln euro që ishin në vitin e kaluar. 

 

TË ARDHURAT E PUSHTETIT VENDOR

Janar-Shtator 2019   156,6 mln euro

Janar-Shtator 2020   138 mln euro

Janar-Shtator 2021   173,9 mln euro.

 

SHPENZIMET E PUSHTETIT VENDOR 

Janar-Shtator 2019     349,9 mln euro 

Janar-Shtator 2020     339,9 mln euro 

Janar-Shtator 2021     301,4 mln euro/Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat