Secondary Adv

Bizneset ende ne veshtiresi, te ardhurat nga tatimi mbi fitimin te uleta ne 2021

Pavarësisht se ekonomia ka filluar t’i rikthehet normalitetit pas goditjes që mori nga tërmeti dhe pandemia, duket se bizneset ende nuk e kanë rimarrë veten siç duhet.

 

Sipas treguesve fiskale të publikuar nga Ministria e Financave, tatimi mbi fitimin, që është tregues direkt i performancës ekonomike të një biznesi është realizuar në masën 24.8 miliardë lekë.

 

Në krahasim me vitin e kaluar, ku ekonomia u mbyll për një periudhë kohe dhe qytetarët ishin nën efektin e masave kufizuese anticovid, rritja rezulton me 4.9 miliardë lekë, ose 24.3% më shumë se 9-mujori 2020, çka është normale për shkak se këtë vit ekonomia u hap totalisht dhe turizmi luajti një rol thelbësor.

 

Por po ta krahasojmë me 2019 i cili ishte një vit normal për bizneset, ka një rënie të ndjeshme të të ardhurave nga fitimi i tyre prej 2.4 miliardë lekësh apo rreth 20 milionë eurosh.

 

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit ka pasur rritje 27% krahasuar me 9-mujorin e 2020, si rrjedhojë e mos aplikimit të masave anticovid gjatë sezoni turistik, gjë që nxiti qytetarët shqiptarë por edhe të huaj që të pushonin në vendin tonë.

 

Gjithashtu sektori i ndërtimit me rritje 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, duke qenë se nuk ka pasur asnjë kufizim për shkak të pandemisë, ku puna ka vijuar normalisht dhe numri i lejeve të dhëna është rritur.

 

Por megjithë ndikimin që kanë dhënë këto sektorë në rritjen e të ardhurave, sërish ato nuk janë në nivelin e vitit 2019, dhe duket se peshën e kanë mbajtur kryesisht bizneset e tjera, që kanë vijuar të vuajnë pasojat e pandemisë./Burimi: Scan


Më të lexuarat