Secondary Adv

Financat, plan per te dhene lotarine tatimore me koncesion

Lotaria përmes kuponit tatimor nuk është e re, të paktën për sa i përket lakimit si një opsion për të nxitur qytetarët që ta kërkojnë atë pas çdo blerjeje.  Por duket se gjërat po bëhen më konkrete këto ditë, kur është bërë i qartë aksioni për luftën ndaj informalitetit.


Ministria e Financave deklaron zyrtarisht se pranë saj ka mbërritur një propozim i pakërkuar për ta kaluar lotarinë me koncesion te privati dhe ky i fundit të menaxhojë të gjithë procesin.


Koncesioni
Ajo që sot ka në tryezë qeveria është një propozim biznesi, por nuk ka ende një vendimmarrje. Gjithsesi, në rast se vendoset që lotaria përmes kuponit tatimor të kalojë me koncesion, Shqipëria mund të kthehet në një vend unik që kalon këtë shërbim te privati. Në shumicën e vendeve ku zhvillohet kjo lotari menaxhimi bëhet nga shteti dhe konkretisht nga Ministria e Financave.


Kompania që ka kërkuar të marrë këtë koncesion rezulton të jetë një kompani nga Tajvani dhe për ironi vetë Tajvani ka këtë lotari nën menaxhimin e shtetit. Shumë vende të tjera si Malta, Sllovakia apo Bullgaria, që e ka futur së fundmi, menaxhimin e kanë nga Ministria e Financave.
Kjo për dy arsye: e para, sepse investimi në infrastrukturë është minimal, pra, nuk ka kosto të larte.


Modeli Sllovak
Rreth një vit më parë, Ministria e Financave do të deklaronte se për realizimin e një lotarie do të duhej të ndiqeshin disa hapa dhe parimisht duhej një grup pune ku të përfshiheshin disa institucione. Në atë kohë u deklarua se po shqyrtoheshin disa modele të fokusuara në ndarjen e çmimeve “cash” ose të mirave materiale, por me peshë, për shembull, makina ose pajisje elektroshtëpiake të shtrenjta.


Dy modele të thjeshta dhe të suksesshme në Europë janë ai i Portugalisë dhe ai i Sllovakisë. I pari planifikon çdo vit ndarjen e 60 automjeteve me kilometrazh zero dhe i dyti bën ndarje të një shume parash. Konkretisht duket se për Shqipërinë po shihet modeli i Sllovakisë. Përfaqësues të shoqërive të kasave kanë konfirmuar se ky model është i realizueshëm me sistemin aktual.


Synimi i realizmit të një lotarie me kuponin tatimor është që të rrisë interesin e qytetarëve për ta kërkuar atë. Impakti që jep lotaria me kuponin tatimor, kur kjo e fundit është e suksesshme, është rritja e parave në zërin e TVSH-së në buxhet në mënyrë të dukshme. Kjo pasi tërheqja e kuponit i detyron bizneset që të deklarojnë xhiron reale të tyre.


Shoqëritë e autorizuara, gati të investojnë në teknologji

Kur u vendos sistemi i kasave në vitin 2007, ai ishte i një teknologjie të avancuar për kohën. Por me kalimin e viteve, teknologjia avancoi me ritme të shpejta, ndërsa operatorët mbetën prapa. Sot, sistemi i transmetimit të të dhënave ende përdor teknologjinë GPRS, që ishte e përparuar për vitin 2007, por jo për 2015-n.


Operatorët pohojnë se mungesa e bashkëpunimit me financat e tatimet ka qenë një nga arsyet që kompanitë nuk janë nxitur të investojnë në teknologji. “Ne jemi të gatshëm t’i bëjmë investimet në teknologji, por kanë kosto të lartë dhe duhet të amortizohen me numrin e kasave që duhet të shesim”, pohon Bledar Balla, administrator i shoqërisë së autorizuar AE Distribution. “Ne jemi zbatues i misionit që ka qeveria. Kompanitë i kanë mundësitë të bëjnë investimet në teknologji për një mision të caktuar, nëse ka ide të qarta”.


Ai shton se gjithsesi, së fundmi ka filluar bashkëpunimi dhe optimizmi i operatorëve është rritur dhe i kanë çuar propozime Ministrisë së Financave.“Në dy vjet është bërë analiza e situatës. Tani jemi në një situatë ku ministria, e cila ka punuar për rregullimin e sistemit në përgjithësi kërkon teknologji më të avancuar dhe kompanitë janë të gatshme të përgjigjen. Është gati teknologjia për kasa që kryejnë monitorimin në kohë reale, për interaktivitet me Ministrinë e Financave dhe me përdoruesit fundorë, çka do të mundësonte realizimin e lotarisë tatimore”. Ai shton se ditët e fundit, bashkëpunimi ka filluar në rrugë zyrtare në mënyrë intensive.

Potenciali, 120 mijë kasa
Deri para nisjes së aksionit anti informalitet, sipas operatorëve të autorizuar, numri i kasave të shpërndara ishte rreth 60 mijë. Pas dyndjes së bizneseve javët e fundit, numri i tyre ka arritr në rreth 84 mijë, sipas deklarimeve zyrtare. Ilir Kumbaro i Iva Electronic pohon se në bazë të numrit të bizneseve të regjistruara në vend dhe duke marrë parasysh se jo të gjithë sipërmarrjet janë të detyruara të pajisen me kasa, vlerësohet se potenciali arrin deri në 120 mijë kasa.


Më të lexuarat