
Hidrokarburet, Qeveria gati koncesionin II ne Porto Romano
Këshilli i Ministrave ka miratuar një tjetër kontratë koncesionare në Porto Romano, i cili do të mundësojë përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20,000 tonë.
Përmes një projektligji të depozituar për miratim në Kuvend, Qeveria thekson se kontrata do të ketë një afat kohor 35 vjeçar, ndërkohë që shteti do përfitojë prej saj një tarifë prej 2% në vit.“Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të përpunimit të anijeve që transportojnë hidrokarbure, porti i ri do të bëjë të mundur shkarkimin e anijeve me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Kjo do të sjellë uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri për shkak të uljes së çmimit të transportit dhe çmimeve më të mira nga rafineritë (për shkak të volumit më të madh)”, thekson Këshilli i Ministrave në relacionin shoqërues të projektligjit.
Monopoli
Aktualisht në këtë zonë ekziston një kontratë koncesionare, që i takon kompanisë Romano Port.SHA, e cila në vitin 2012 është gjobitur nga Autoriteti i konkurrencës me 48 mijë euro për abuzim me pozitën dominuese. Këshilli i Ministrave argumenton në relacionin shoqërues se zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre.
Për më tepër, investimi në këtë zonë do të rezultonte me kosto të reduktuara dhe do të ishte efektiv në terma financiarë. “Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve çisternë, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë.
Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18 - 20m që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion ton në vit nga të cilat 40% për eksport”, thekson Këshilli i Ministrave.
Projekti
Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250m me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur.
Normalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytyra (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut.
“Gjithashtu, me anë të këtij projekti synohet që Shqipëria të kthehet në nyje furnizimi dhe për rajonin”, thekson në relacion Këshilli i Ministrave duke ngarkuar për zbatimin e këtij projektligji Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.
Më të lexuarat








