Secondary Adv

Tiranes do i shtohet nje ujesjelles i ri, projekti i Bashkise Tirane

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës është duke punuar për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës.

 

Për këtë arsye, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësuesin e kontraktorit gjerman CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, me të cilin nënshkroi një marrëveshje për realizimin e dy projekteve të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit që financohen nga SwedFund. 

 

“Projekti i parë ka të bëjë me unazën e presionit. Ne kemi sjellë një linjë direkt nga Bovilla, pra është shtuar prurja në Tiranë. Kemi zgjeruar gjithashtu impiantin tonë të filtrimit, por na duhet një unazë e presionit që të mos kemi disa zona me ujë 24 orë, ndërsa në disa të tjera përdorim të pompave për katet më të larta.

 

Unaza e presionit mundëson që i gjithë qyteti të ketë të njëjtin presion, për t’u siguruar që furnizimi të jetë i njëtrajtshëm”, sqaroi Veliaj. Projekti i dytë për të cilin foli kryebashkiaku ka të bëjë me një tjetër burim uji në Tiranë.

 

Veliaj nënvizoi faktin se tashmë një pjesë e mirë e Tiranës furnizohet 24 orë me ujë dhe shtoi se shumë shpejt i gjithë kryeqyteti do të ketë ujë pa ndërprerje. “Projekti tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin kemi nevojë për këtë fizibilitet është ai i një burimi të ri uji për Tiranën, burimi i Gurit të Bardhë.

 

Pra, përveç burimit të Selitës, Shën Mërisë dhe Bovillës do të duhet të mendojmë për Tiranën e viteve 2030, 2040 dhe 2050 dhe për këtë duhet të fillojmë punë tani”, theksoi ai. Përfaqësuesi i CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për besimin, teksa shtoi se nga këto dy projekte përfitojnë banorët e kryeqytetit. 

 

“Ndihemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti sfidues dhe absolutisht shumë të nevojshëm për të shtuar volumin dhe cilësinë e furnizimit me ujë në vitet e ardhshme. Jemi shumë krenarë të marrim përsipër këtë sfidë dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi”, tha Karl Philip Khugin./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat