Secondary Adv

Rritet deficiti i skemes se sigurimeve, shkak plakja e popullsise

Plakja popullsisë po rrit numrin e të sëmurëve kronikë e për rrjedhojë një nevojë më të lartë për fonde që shkojnë për financimin e shëndetit.

 

Si rrjedhojë e zhvillimeve demografike, por edhe kompleksitetit të sëmundjeve, shpenzimet për skemën e sigurimit shëndetësor janë rritur me shpejt se të ardhurat që paguhen nëpërmjet kontributit të sigurimeve shëndetësore.

 

Kjo e ardhur vilet kryesisht si tatim nga pagat në masën 3.4%, ku gjysma paguhen nga punëmarrësi dhe gjysma nga punëdhënësi, por nuk po rritet me të njëjtat ritme sa shpenzimet, e për rrjedhojë deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore po zgjerohet në vijimësi vitet e fundit.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave shpenzimet për sigurimet shoqërore në 2020 ishin 43.3 miliardë lekë, nga të cilat 13 miliardë lekë u siguruan nga të ardhurat e kontributeve të sigurimeve dje pjesë tjetër prej 30 miliardë lekësh u financua nga buxheti i shtetit.

 

Deficiti i skemës së sigurimeve shëndetësore u zgjerua me 4.5% gjatë vitit të kaluar. Gjatë vitit pandemik nevoja për shpenzime në shëndetësi u rrit, por ndërkohë të ardhurat nga kontributet u ndikuan negativisht nga rritja e papunësisë.

 

Pas një rritje të qëndrueshme të ardhurat nga kontributet e sigurimeve pësuan rënie me 1% vitin e kaluar krahasuar me vitin 2019. Gati tre të katërtat e skemës së sigurimeve shoqërore financohet nga taksat përgjithshme nëpërmjet buxhetit të shtetit. 

 

Në strukturën e të ardhurave, të ardhurat nga transferta e buxhetit të shtetit përbëjnë peshën kryesore me 68.7% (nga të cilat 52.3% për shërbimin spitalor dhe 16.4% për shërbimin parësor), ndjekur nga të ardhurat e kontributeve të sigurimeve shëndetësore me 31.2%.

 

Të ardhurat nga burime të tjera zënë një peshë specifike të vogël prej 0.1%. Transfertat nga buxheti i shtetit në total u realizuan në vlerën 30 miliardë lekë, të cilat 7 miliardë lekë shkuan për shërbimin parësor.

 

Me transfertën e shërbimit parësor mbulohen financimi i Qendrave Shëndetësore, si dhe pagesat e kontrollit bazë për grupmoshat 35-70 vjeç. Transfertat për shërbimin spitalor (përfshirë edhe spitalet publike) u realizuan në vlerën 22,9 miliardë lekë.

 

Shpenzimet për rimbursimin e medikamenteve ishin 11 miliardë lekë ose rreth 20% e totalit të fondeve në dispozicion. Rritja e sëmundjeve kardiovaskulare dhe neoplazmave po rrit vit pas viti nevojën për më shumë rimbursim në medikamente jetësore.

 

Për vitin 2020 shpenzimet e barnave të grupit C “Sistemi Cardiovascular” u rriten rreth 156,5 milion lekë më shumë se në vitin 2019. Për vitin 2020 grupi C i barnave zuri 23.2% të shpenzimeve të rimbursimit.

 

Barnat për këtë zë janë të lidhura direkt me rritjen e shpenzimeve të rimbursimit për 3 diagnoza më të kushtueshme, që janë në top 10 listën e diagnozave më frekuente dhe me vlerë rimbursimi më të lartë: Hipertensioni arterial, insufiçienca kardiake si dhe çrregullimet e ritmit të zemrës.

 

Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/plakja-e-popullsise-dhe-semundjet-po-rrisin-shpenzimet-per-shendetesine-dhe-deficitin-e-skemes-se-sigurimeve/


Më të lexuarat