81 per qind e popullsise ne Itali plotesisht e vaksinuar
Kryeministri italian Mario Draghi, duke folur në Senatin e Romës, iu referua rrjedhës së fushatës së vaksinimit në vendin e tij, por edhe në Evropë në tërësi.
"Pas një seri pengesash, fushata e vaksinimit në Evropë ka arritur rezultate shumë të mira," tha ai. "Në Itali, fushata po ecën më shpejt se mesatarja e Bashkimit Evropian, deri më tani doza e parë i është dhënë 86% të banorëve mbi 12 vjeç, ndërsa 81% e popullsisë i kanë bërë të dyja dozat”.
Draghi falënderoi të gjithë qytetarët që vendosën të vaksinohen dhe veçanërisht të rinjtë dhe të gjithë ata që zgjodhën të vijnë në qendrat e vaksinimit javët e mëparshme, duke kapërcyer hezitimet e tyre.
Kryeministri italian tha gjithashtu se në katër muajt e fundit vendi i tij ka vaksinuar 50% të popullsisë mbi moshën 12 vjeç," kryesisht falë mjekëve dhe infermierëve".
Së fundmi, Mario Draghi theksoi se Bashkimi Evropian duhet të sigurojë më shumë vaksina për vendet më të varfra në botë, sepse "vetëm 2.8 % e njerëzve në vendet në zhvillim kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa mesatarja globale është 50 %"./Burimi: OraNews