Secondary Adv

Pergjysmohen investimet, 29 milione dollare me pak ne gusht

Akti normativ i qeverisë që korrigjoi në ulje buxhetin e 2015-s nuk ka mundur të fshehë sërish ecurinë e dobët të të ardhurave. Treguesit fiskalë të 8-mujorit reflektojnë situatën problematike që lidhet me paratë e mbledhura në arkën e shtetit.


Në kushtet kur Financat nuk kanë zbardhur të plotë ndryshimet dhe pritshmëritë sipas aktit normativ, buxheti fillestar është ai ku mund të referohesh për të bërë një përllogaritje.


Të ardhurat
Në total të ardhurat në buxhet shënuan vlerën 2.48 miliardë dollarë në fund të gushtit. Krahasuar me planin, qeveria ka mbledhur 45 milionë dollarë më pak, nga të cilat vetëm të ardhura tatimore dhe doganore janë 29 milionë dollarëmë pak se plani. Akti normativ i qeverisë shkurtoi me 22,4 miliardë lekë pjesën e të ardhurave, por deri në korrik mosrealizimi ishte 160 milionë dollarë.

 


Kjo e ngushton dukshëm hapësirën e tolerancës për mosrealizim edhe sipas aktit normativ. Vetëm nga akcizat buxhetit i mungonin në fund të gushtit 65 milionë dollarë si tetëmujor, por vihet re përmirësim i dukshëm vetëm për muajin gusht kur realizmi fakt dhe plan është me një diferencë minimale. Tatimi mbi vlerën e shtuar ka një diferencë negative në të ardhura me 42 milionë dollarë në 8 muaj, nga të cilat 16 milionë USD i ka vetëm në muajin gusht.
Tatimi mbi fitimin është i vetmi zë ndër taksat kryesore që për 8-mujor ka ecuri më pozitive sesa plani. Në fund të gushtit, në arkën e shtetit kanë shkuar nga kjo taksë 166 milionë dollarë, nga 158 milionë dollarë që ishin parashikuar në planin fillestar. Ecuri pozitive ka pasur në buxhet edhe pjesa e të ardhurave që shkon si fond kompensimi për ish-pronarët.


Paratë në këtë zë vijnë nga procesi i legalizimit. Deri në gusht, në buxhet ishin arkëtuar 13 milionë dollarë, kur në fakt sipas planit fillestar priteshin pak më shumë se 6 milionë dollarë. Vetëm në gushtjanë arkëtuar 2 milionë dollarë.


Shpenzimet
Qeveria ka preferuar të mbajë nën kontroll shpenzimet për efekt të mbajtjes në nivelet e deklaruara, ndoshta dhe disi më konservatore se plani fillestar të deficitit buxhetor. Në fund të 8-mujorit, totali i shpenzimeve ishte 2.63 miliardë dollarë nga 2.91 miliardë dollarë. Zëri me mosrealizimin më të lartë në pjesën e shpenzimeve është ai i investimeve publike.


Në planin fillestar, këto shpenzime paraqiteshin në total te 670 milionë dollarë dhe deri në gusht parashikohej që të realizoheshin të paktën 355 milionë dollarë. Të dhënat paraprake tregojnë se shpenzimet si 8- mujor për rrugë, ujësjellës, shkolla apo spitale janë vetëm 275 milionë dollarë.
Një situatë e tillë është e përsëritur pasi e njëjta gjë u pa edhe gjatë 2014-s, që më pas krijoi precedentin e letërkredive. Të tjera mosrealizime vihen re te pjesa e interesave, çka do të thotë që në këtë aspekt qeveria ka kursyer para sa u përket pagesave të borxhit dhe kjo vlerë e kursyer është jo pak, por 10 milionë dollarë./ Panorama


Më të lexuarat