Secondary Adv

AKKP: Kompensohen 31 pronare te prekur nga ndertimet pa leje

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka miratuar në fund të muajit tetor kompensimin financiar për 31 pronarë, tokat e të cilëve janë prekur nga ndërtimet pa leje.


Përmes një njoftimi zyrtar, AKKP bënte me dije se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.


“Publikimin e listës për 31 (tridhjetë e një) kërkesa, të cilat përfitojnë nga kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt i përcaktuar për kompensimin në të holla prej 57% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse, të pronave që preken nga ndërtimet informale”, thekson në njoftim Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave.


AKKP njofton gjithashtu subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim. AKKP ka bërë publik formularin tip si dhe procedurat që duhet të kryejnë pronarët e prekur nga ndërtimet pa leje për të përfituar kompensim në para.


Sipas Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, tarifa për këtë aplikim është 2 mijë lekë, ndërkohë që afati për shqyrtimin e aplikimeve nga grupi i posaçëm i punës, bashkë me miratimin nga kreu i këtij institucioni zgjat përkatësish 60 dhe 30 ditë.


Më të lexuarat