Secondary Adv

Sindikatat ne Kosove kerkojne rritjen e pages minimale

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka bërë thirrje të rritet paga minimale, duke treguar se rritja e çmimeve ka renduar më tepër gjendjen sociale të qytetarëve.

 

Paga minimale aktualisht në Kosovë është 130 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit, ku për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend.

 

Sipas BSPK, pas kësaj gjendje duhet të ketë rritje të pagës minimale në vend. “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend.

 

Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagim.

 

BSPK thotë se kjo rritje e pagave duhet të bëhet sa më parë. “Ftojmë publikisht Qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomiko-Social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend.

 

Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, përfundon reagimi.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin për muajin shtator, thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

 

“Bukë dhe drithëra me 1.5%, mish me 1.9 %, qumësht, djathë e vezë me 7.7%, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2%, perime me 19.7%, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1%, pijet alkoolike me 3.8%, duhan me 2.7 %, gaz me 10.6%.

 

Lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6%, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7%, shërbime për transport me 2.2%, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3%, pushime të organizuara turistike me 8.9%, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6%”, thuhet në raport.

 

Selatin Kaçanikun nga organizata “Konsumatori” ka thënë se rritja e shpejtë e çmimeve në Kosovë më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik sesa që është një përgjigje ekonomike.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/pas-shtrenjtimit-te-cmimeve-kerkohet-rritja-e-pages-minimale-ne-kosove/


Më të lexuarat