Secondary Adv

Helmimi ne Kruje, shkak uji i pijshem i kontaminuar ne depon kryesore

Uji i pijshëm në Krujë, që helmoi mbi 500 qytetarë, rezulton me ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe Streptokokut Fekal.

 

Report TV mëson se ky është rezultati i analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik. Po ashtu bëhet me dije se uji është ndotur në depon e qytetit të Krujës, që më pas i është shpërndarë qytetarëve nëpër çezma.

 

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Krujës njoftoi sot nisjen e hetimeve, teksa është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor. Ndotja ujërave përbën vepër penale, për të cilën Kodi Penal parashikon deri në 10 vjet kur kjo vepër, ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve.

 

Që nga mëngjesi i së dielës, shumë qytetarë në Krujë u paraqitën në spital me simptoma helmimi si dhimbje koke, dhimbje barku, diarre e të vjella. Dyshimet e para ishin se helmimi u shkaktua nga uji i pijshëm, ndërsa për këtë arsye furnizimi u ndërpre që prej mesditës së të hënës.

 

Në një reagim zyrtar të Ujësjellësit të Krujës një ditë më parë, u tha se shkak paraprak për helmimin e banorëve, është kontaminimi i ujit të pijshëm si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të shtunën dhe të dielën, veçanërisht në vendburimin e Malësisë së Krujës ku është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

 

Megjithatë, një ditë më parë banorët u shprehën se ky është një rast i përsëritur ku uji ka ardhur i ndotur dhe më parë në çezmat e tyre. Njëri prej tyre u shpreh se të njëjtat simptoma helmimi ata kanë patur edhe 3 muaj më parë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat