Secondary Adv

Rihapet gara per aeroportin e Sarandes, 1 muaj afat per tenderin

Pas anulimit të procedurës së parë për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Sarandës, MIE nuk ka vonuar për të rihapur sërish garën.

 

Në Agjencinë e Prokurimit Publik u rishpall në datë 26 tetor 2021 procedura me objekt “Dhënie me koncesion/PPP për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Sarandës” duke u lënë afat operatorëve të interesuar deri më 26 nëntor për të paraqitur ofertat.

 

Procedura e parë e cila u mbyll në datë 14 tetor pas disa shtyrjeve dhe ndryshimesh në kritere u anulua nën argumentin se nuk kishte asnjë ofertë për aeroportin i cili ndryshe nga koncesionet e tjera të deritanishme si ai i Kukësit apo Vlorës nuk parashikon garantim të trafikut nga ana e qeverisë.

 

Ky aeroport do të jetë tërësisht në riskun e investitorit dhe do të ketë profilin e një aeroportin sezonal turistik. Në gusht të këtij viti MIE njoftoi hapjen e parë të garës për Aeroportin duke dhënë edhe specifikat.

 

Kohëzgjatja e kontratës koncesionare (Partneritetit Publik-Privat, PPP) është 35 vite nga hyrja në fuqi e saj. Vlera e parashikuar e projektit është 34,3 mln euro (pa TVSH).

 

Kompanitë ofertuese duhet të plotësojnë kriterin e përvojës në projekte ndërtimi ose rinovimi të paktën të një aeroporti ku rinovimi konsiston në terminalin e pasagjerëve; pista dhe vendqëndrimi (kategoria 3C ose me art), gjatë 10 viteve të fundit, me kapacitet 1 milion pasagjerë ose më shumë.

 

Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se koncesionari do të zhvillojë dhe azhurnojë vazhdimisht (çdo 5 vjet) master planin e Aeroportit  Ndërkombëtar të Sarandës, duke përfshirë parashikimet për fluksin e pasagjerëve, sigurinë, investimet e reja etj.

 

Në 3 fazat e operimit të aeroportit me koncesion në 5 vitet e parë të operimit parashikohet që terminali i pasagjerëve të akomodojë jo më pak se 130 mijë pasagjerë/vit ose 300 pasagjerëve në orë.

 

Në fazën e dytë pas 5 vitesh operim parashikohet që fluksi i pasagjerëve të jetë 300 mijë pasagjerë/vit. Faza e tretë që përkon pas 10 vitesh aktivitet fluksi i pasagjerëve pritet të  jetë 700 mijë në vit.

 

Aeroporti i Sarandës ndodhet rreth 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Në perimetrin e zonës së projektit të distancuar prej tij ndodhen fshatrat Cukë, Caush, Aliko, Neohor, Dritas, Plaga e Re, Skate.

 

Nga ana perëndimore, zona e projektit kufizohet me kodrat ku shtrihet fshati “Lëkurës” me kështjellën e tij dhe përtej kodrave shtrihet qyteti i Sarandës. Lumi Bistrica përshkon zonën e projektit përgjatë kësaj ane. Në anën jugore kufizohet nga Liqeni i Butrintit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/aeroporti-i-sarandes-mie-rihap-garen-per-koncesionin-afat-1-muaj-per-operatoret/


Më të lexuarat