Secondary Adv

Lejet e reja te ndertimit, vetem pas planeve vendore

Bashkitë e reja në të gjithë vendin duhet të punojnë fort për të hartuar plane vendore dhe vetëm pas tyre mund të japin sërish leje ndërtimi. Pohimi u bë dje nga ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, pas një takimi me kryetarët dhe përfaqësuesit e 26 bashkive të përzgjedhura për të marrë mbështetjen e qeverisë për hartimin e planeve vendore.


Gjermeni deklaroi se bashkitë që nuk kanë një plan të miratuar vendor do të vazhdojnë të mos japin leje ndërtimi deri në miratimin e këtij plani, me përjashtim të rasteve që cilësohen si projekte me interes publik për të cilat vendos Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa 14 bashki që aktualisht kanë plane të miratuara vendore mund të japin leje ndërtimi, por vetëm në qytete, pa përfshirë komunat përreth.


Planet Vendore
“Njësitë e tjera vendore, të cilat nuk kanë plane vendore të miratuara vazhdojnë dhënien e lejeve të ndërtimit për disa kategori të cilat i ka miratuar KKT-ja. Sa i përket projekteve me interes publik në fushën e bujqësisë, turizmit, industrisë, këto leje jepen nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, deklaroi ministrja e Zhvillimit Urban.
Gjermeni thotë se një tjetër përjashtim janë godinat nën gjashtë kate për strehim, të cilat mund të jepen nga të gjitha njësitë vendore në bashkëpunim me KKT-në. Pohimi i saj për median u bë pas takimit me 26 drejtuesit vendorë ku u çel dhe tenderi ndërkombëtar për të zgjedhur studion që do të hartojë planet rregulluese të 26 bashkive të reja në vend.
Ministrja Gjermeni u shpreh se përzgjedhja e tyre është bërë sipas kriterit të potencialitetit ekonomik. “Angazhimi i qeverisë përveç asistencës financiare për 26 njësitë vendore për këtë proces të përshpejtuar të hartimit të planeve të përgjithshme vendore do të konsistojë në asistencën financiare por dhe teknike.


Tenderi ndërkombëtar
Për këtë kemi hapur një tender ndërkombëtar me terma reference specifike për të kërkuar angazhimin e studiove apo ekspertë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ekspertizë kombëtare për të përzgjedhur më të mirët për të hartuar këto plane të përgjithshme vendore”, - deklaroi ajo.
Ndërsa zëvendësministri Gjon Radovani kërkoi bashkëpunimin e bashkive për të nisur menjëherë nga puna për përgatitjen e projekteve për planet konkrete vendore të cilat do të mund të marrin mbështetjen e qeverisë. Nisma e qeverisë vjen në ndihmë të bashkive Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë,Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër është konsideruar si një moment i rëndësishëm në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të territorit në vend.


Fondi total i vënë në dispozicion nga Qeveria për hartimin e planeve vendore për të 26 bashkitë është në vlerën 658,164,960 lekë me TVSH, ku vetëm për vitin 2015 është alokuar nga buxheti i shtetit sipas Aktit Normativ të miratuar dy ditë më parë. në Kuvend, fondi në vlerën 200,000,000 lekë.


Më të lexuarat