Buxheti i ri, 400 mln leke me shume fonde se ne 2021 per Bashkite
Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion afro 26.8 miliardë lekë për pushtetin vendor në 2022-shin, me një rritje prej 400 milionë lekësh në raport me këtë vit.
Rritja është bërë me qëllim mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore për përballimin e shpenzimeve të Covid-19. Fondi është transfertë e pakushtëzuar që subvencionon të ardhurat e munguara të bashkive dhe investimet.
Ndërkohë që një pjesë e përbën transferta e pakushtëzuar sektoriale që jepet për konviktet e arsimit parauniversitar, personelin mësimor, stafin mbështetës, arsimin parauniversitar, mbrojtjen sociale, administrimin e pyjeve, rrugët, ujitjen dhe kullimin dhe klubet shumësportëshe.
Kështu, nisur nga këto kritere, sipas draftbuxhetit 2022, 5 bashkitë që marrin fondet më të larta, janë Tirana, me rreth 3,8 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi me 1.3 miliardë lekë, më pas renditet Elbasani me rreth 1.2 miliardë lekë, Fieri dhe Shkodra me nga rreth 1 miliardë lekë respektivisht.
Ndërsa bashkitë që kanë marrë më pak fonde janë edhe ato më të voglat, si Pustec, Libohovë, Konispol, Këlcyrë, dhe Dropull. Shpenzimet e buxhetit vendor për 2022 janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.3% më shumë se akti normativ i 2021. Këto shpenzime për 2022 zënë 3.2% të PBB./Burimi: Scan