
Cdo banese e dhene me qira do te tatohet
Çdo individ që lëshon apartamente apo ambiente me qira, do të paguajë në shtet tatim mbi këto të ardhurave. Drejtoresha e Përgjithëshme e Tatimeve Briseida Shehaj, ka bërë me dije se për këtë qëllim do të krijohet një hartë dixhitale ku do të regjistrohet çdo ambient i dhënë me qira nga individët.
“Administrata tatimore për herë të parë do të krijojë një hartë dixhitale të gjithë biznesit në Shqipëri, dhe jo vetëm të biznesit, por në bashkëpunim edhe me kompani private, do krijohet edhe një hartë e pasurive që lëshohen me qira”, tha Shehaj në një bashkëbisedim me gazetarët ku bëri publike rezultatet e deritanishme të betejës kundër korrupsionit.
Tatimi
Të dhënat për vendodhjen e banesave apo ambienteve të tjera do të merren nga kompanitë e pasurive të paluajtshme dhe më pas do të shfrytëzohen për vjeljen e taksës së pasurisë nga ana e punonjësve tatimorë. “Ne do bashkëpunojmë me kompani të tilla, veçanërisht me kompanitë e pasurive të paluajtëshme.
Ka disa kompani dhe faqe, ku ne si individë, trokasim për të na bërë ndërmjetësin për të lënë me qira pasuritë e paluajtshme. Domethënë kompani që ndërmjetësojnë për t'u bërë qiradhënësve të mundur gjetjen e qiramarrësve. Do krijojmë një formë ligjore me këto kompani në mënyrë që të dhënat të pasqyrihen në serverin dhe hartën dixhitale të tatimeve. Në këtë mënyrë, tatimet do të dinë që, sa për të sjellë një shembull, në rrugën Irfan Tomini, dikush kërkon të japë në katin e dytë një apartament me qira”, tha Shehaj.
Vetëm pak muaj më parë, përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ndryshoi formulën e llogaritjes së tatimit mbi pasuritë e paluajtshme. Nga 1 korriku 2015, tatimi mujor për apartamentet me qira është jo më i vogël se 0.3% e çmimit te shitjes se ndërtesës, ndërkohë që për çdo objekt me qëllim biznesi, aplikohet çmimi referencë, i ndryshëm për çdo zonë si dhe për qëllimin e përdorimit të objektit (dyqane, zyra, parkingje).
Evazioni
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Shehaj bëri publike të dhënat e deritanishme të aksionit kundër evazionit, duke theksuar se janë kryer deri tani mbi 13 mijë kontrolle në të gjithë vendin, nga të cilët, 1968 subjekte janë gjetur shkelje.
Nga 13.532 kontrolle, grupet e inspektimit kanë gjetur 186 biznese të paregjistruara, ndërsa në 1968 subjekte të licensuara janë konstatuar shkelje si, mospajisje me kasa fiskale, moslëshim i kuponit tatimor apo punonjës të pasiguruar. Shehaj sqaroi se janë në total 1440 binzese të gjobitura, për 590 të tjera është marrë masa e konfiskimit të mallit.
“Nga data 1 shtator deri në datën 10 shtator ka patur rritje me 50 përqind të kuponave të lëshuar ose 5.6 mln kupona në numër dhe një rritje të vlerës së tatueshme 6.6 milion dollarë. Kjo është një shifër shumë mbresëlënëse për ne, shumë që do të ndahet në bazë të NIPT-it dhe përcakton qarkullimin vjetor të biznesit”, drejtoresha e tatimeve, Brisida Shehaj. Sa për vlerën totale të parave të deklaruara nga bizneset, Shehaj tha ka një rritje të xhiros me 66 milionë dollarë. Nga ana tjetër, prej 1 shtatorit deri më 10 shtator ka një rritje me 50 për qind të lëshimit të kuponave të lëshuar nga bizneset, përkthyer në numra, 5.6 milionë kupona.
Biznesi i madh
Sipas kreut të tatimeve, aktualisht operojnë në terren 400 grupe inspektimi të pajisur me ortofoto që po ushtrojnë kontroll në 600 minizona në terren. Ndërkohë që vëmendja kryesore e aksionit mbetet te biznesi i madh. “Ajo që mund t’ju them për hetime të thelluara që janë, ne po hetojmë transaksione bankare të lidhura me njëra-tjetrën, sidomos me Kinën dhe kur them Kinën kemi dy probleme kryesore, kromin, eksporti me Kinën dhe importi nga Kina është shumë i lartë. Është kjo pjesa më e madhe e evazionit perpos naftës, deklarimi i kromit”, tha Shehaj.
Më të lexuarat








