125 shtepi dhe 7 pallate te demtuara nga termeti ne Bulqize
Pas tërmetit të së premtes, është mbledhur të hënën shtabi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Bulqizës.
Në raportimet finale sipas kreut të Bashkisë janë dëmtuar të paktën 125 shtëpi banimi, dhe 7 pallate. Bashkia ka ngritur grupet e punës për të bërë një vlerësim real dhe financiar të dëmeve të tërmetit. Këto janë të çarat në një nga 2 pallatet e dëmtuara në Bulqizë nga tërmeti i së premtes i datës 29 tetor.
Tërmeti me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter, dëmtoi pallate e shtëpi, ndërsa pritet një ekspertizë e thelluar për të vlerësuar nëse ai do të vazhdojë të jetë i banueshëm.
Pas verifikimit të të gjitha raportimeve për dëmet e shkaktuara, Bashkia e Bulqizës ka ngritur grupet e punës për vlerësimin real të dëmeve në terren. Kreu i bashkisë, Lefter Alla foli për dhjetëra shtëpi të dëmtuara dhe të paktën 7 pallate në të gjithë territorin e Bashkisë.
"Deri tani numri i banesave të raportuara është 125 në të gjitha Njësitë Administrative. Kemi 2 pallate në qytet dhe kemi 5 pallate në Krastë, në Martanesh," tha Alla. Dëmtimet sipas Allës janë të shkallëve të ndryshme duke nisur nga dëmtime të lehta tek të rëndat.
"Dëmet janë të ndryshme, të lehta, mesatare dhe dëme të rënda," tha ai. Bashkia e Bulqizës ka thënë se do të bëhet edhe një vlerësim financiar për dëmet që u shkaktuan nga lëkundjet e mëngjesit të së premtes së kaluar, 29 tetor 2021./Burimi: Oranews.tv