SOCAR e Azerbajxhanit interes per te realizuar infrastrukturen e gazifikimit te Shqiperise
Teksa ndërtimi i gazsjellësit TAP ka nisur, Shqipëria do të bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit, duke shtruar nevojën e gazifikimit të vendit me një rrjet të posaçëm dhe krejt të ri. Burime zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë bënë me dije se kompania SOCAR e Azerbajxhanit ka shprehur interes për të realizuar infrastrukturën e gazifikimit.
Ky projekt kërkon investime të mëdha që shtrihen në vite, ndërsa Masterplani për gazifikimin është në proces dhe pritet të jetë gati tetorin e vitit të ardhshëm. Burimet zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë pohuan se, kompania e Azerbajxhanit ka shprehur interes për të realizuar infrastrukturën e gazifikimit, duke qenë se është edhe një nga aksionarët kryesore të vendburimit dhe të transmetimit të gazit nga TAP.
Të njëjtat burime bënë me dije se, Masterplani mbaron në vjeshtë të vitit tjetër. Më pas, janë siguruar edhe mbështetjet financiare për të vazhduar me planifikimin e detajuar, që do të thotë do të studiohen zonat e Shqipërisë ku potencialisht do të jetë e mundshme ndërtimi i rrjeteve të shpërndarjes së gazit. Ekspertët në Ministrinë e Energjetikës pohojnë se Shqipëria mund të ketë një konsum prej gati 1 miliard metër kub gaz, sasi kjo sa një e dhjeta e kapacitetit fillestar të gazsjellësit. Synimet e Masterplanit si dhe me tej studimet e fizibilitetit kanë për qëllim futjen e elementit të konsumit të gazit nga familjarët.
Burimet në ministrinë e Energjetikës pohuan se ligji për partneritetin publik-privat lë hapësira për gjetjen e investitorëve strategjikë për procesin e gazifikimit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se SOCAR nga Azerbajxhani ka shprehur interes, por edhe vende të tjera kanë shprehur interes, pasi i kanë mundësitë për shkak të zotërimit të gazit.