Secondary Adv

PPP ne 2020, KLSH: Jane kryer pagesa per sherbime qe nuk jane marre

Koncesionet kanë vijuar edhe në 2020 të shoqërohen me problematika sa i takon pagesave apo monitorimit të kontratave nga institucionet shtetërore.

 

KLSH në raportin e zbatimit të Buxhetit 2020 vlerëson se janë të paktën gjashtë pika që paraqesin problem dhe që kanë dalë nga auditimet që janë kryer nga ky institucion. Kështu KLSH vëren se për vitin 2020, rezultoi se nga 13 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, vetëm për 10 prej tyre janë realizuar pagesa.

 

Në total, plani përfundimtar për këto projekte paraqitet në shumën 9.7 miliard lekë, ndërkohë që pagesat rezultuan në shumën 9.6 miliard mijë lekë, me një realizim në masën 99%.

 

“Pagesat vjetore faktike nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare apo PPP, rezultuan të jenë brenda kufirit të pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, konkretisht 2.26% e totalit të të ardhurave tatimore faktike të 2019, prej rreth 426,271 milion lekë” thuhet në raport.

 

Por cilat janë në fakt konstatimet që kanë bërë audituesit sa i takon kontratave konceisonare gjatë 2020. Së pari KLSH vlerëson se ka pasur raste të kryerjes së pagesave pjesore si pasojë e rishikimeve të vazhdueshme gjatë vitit buxhetor.

 

Së dyti ka raste të likuidimit të detyrimeve të prapambetura për 2020, me fonde nga buxheti i vitit 2021, për total vlerën prej 356.2 milion lekë në “Shërbimin e Skanimit në Dogana” dhe në “Inceneratorin e Tiranës”. Së treti është hasur një rast i mos regjistrimit të kontratës në SIFQ si detyrim dhe si pasojë nuk është buxhetuar.

 

Së katërti është konstatuar kualifikim i gabuar i operatorit ekonomik sa i takon marrëveshjes koncesionare “Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësorë” pasi nuk janë marrë në konsideratë dhe vlerësuar kundërshtitë për këtë OE të këshilltarit të transaksionit, IFC.

 

Së pesti Ministria e Shëndetësisë nuk ka monitoruar ecurinë periodike të kësaj kontrate në qendrat spitalore universitare, spitalet referuese dhe ato bashkiake dhe në rastet kur janë raportuar devijime/parregullsi nga spitalet (rasti i QSUNT), nuk ka marrë asnjë masë për verifikimin e mëtejshëm të parregullsive të konstatuara.

 

Së gjashti edhe për këtë vit është vijuar me kryerjen e pagesave për shërbime të pa kryera për kontrollin bazë të popullsisë dhe për shërbimin e dializës, duke sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

 

KLSH vëren se sa i takon koncesionit të Check Up gjatë vitit 2020 është kryer pagesa e shërbimit të periudhës nëntor 2019 deri në mars 2020 kur edhe është pezulluar zbatimi i kësaj kontrate si pasojë e pandemisë.

 

“Nga auditimi konstatohet se shërbimi është hapur për pak ditë në Shtator dhe për të cilin është kryer një pagesë në shumën 2.1 milion lekë për rastet e kryera. Në total nga këto pagesa evidentohen 2127 raste në shumën 3.9 milion lekë të cilat janë paguar për shërbim të pakryer.

 

Për rastet që janë faturuar nga koncesionari përgjatë muajve kur ka ndodhur pezullimi i kontratës si pasojë e pandemisë, nuk janë pranuar nga FSDKSH” thuhet në raport.

 

Sa i takon kontratës së hemodializës KLSH vëren se efekti i financimit të shërbimit të pakryer që në implementimin e kësaj kontratë koncesionare në vitin 2016 e deri në fund të vitit 2020 vlerësohet në shumën 352 milion lekë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/koncesionet-ne-buxhetin-2020-klsh-jane-kryer-pagesa-per-sherbime-qe-nuk-jane-marre/


Më të lexuarat