Secondary Adv

Prerja e pyjeve dhe ndertimet pa leje prangosin 20 persona

Për vjedhje energjie, ndërtime pa leje, prerje pyjesh dhe aktivitete të tjera të paligjshme, Policia e Shtetit arrestoi gjatë javës 20 persona, ndërsa disa të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë, apo janë shpallur në kërkim.


Energjia elektrike
Policia bën të ditur se në të gjithë vendin, ka vijuar puna e përbashkët mes saj dhe OSHEE-së, për “Evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike”. Kështu, nga aksioni rezulton se nga 6 deri më 13 shtator, kanë vepruar çdo ditë 90 grupe të përbashkëta Polici–OSHEE, si dhe janë kryer kontrolle të përbashkëta në 4.869 raste.


Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 43 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 11 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe u shpallën në kërkim 16 persona, teksa ndiqen në gjendje të lirë 16 të tjerë. Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 2.123 lidhje të abonentëve debitorë dhe 43 lidhje të paligjshme. Gjithashtu, grupet e përbashkëta kanë kontrolluar 111 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen prej tyre. Policia e Shtetit dhe OSHEE thonë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë apo punonjës të vetë OSHEE-së.


Ndërtimet, pyjet
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar punën për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme”, konkretisht në parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara. Sipas policisë, në fushën e ndërtimeve të paligjshme, gjatë kësaj jave nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin janë evidentuar 35 raste të ndërtimeve pa leje.
Për këto raste, janë evidentuar dhe proceduar 35 autorë nga të cilët, 9 autorë janë arrestuar në flagrancë, 24 autorë ndiqen në gjendje të lirë, si dhe të tjerë janë shpallur në kërkim. Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, gjatë kësaj jave në të gjithë vendin janë evidentuar 16 raste me 16 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.


Ndërsa në fushën e organizimit të lotarie të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 5 raste me 5 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkaq, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 28 makineri të lojërave të fatit, 1 rulotë, 14 kompjuterë dhe 6 televizorë. Edhe në javët në vazhdim, strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme./Gazeta Shqip


Më të lexuarat