Mbi 20 mln dollare mbeshtetje per emergjencat civile ne buxhetin 2022
Në takimin me kryebashkiakët ministri i Mbrojtjes kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve të pushtetit vendor për marrjen e masave për përballimin e pasojave nga reshjet e shiut.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit si dhe me prefektët e 12 qarqeve, ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin se tashmë Shqipëria ka hyrë në zonën e riskut të lartë, në bazë edhe të raportit vjetor të riskut botëror.
“Ne tani jemi në sezon dhe do përqendrohemi më tepër te menaxhimi i pasojave, sepse nuk është se kemi kohë sot të flasim për shkakun, për parandalimin e përmbytjeve, por gjithsesi investimet edhe puna e përbashkët për të reduktuar riskun më afatgjatë përmes investimeve dhe punës së koordinuar duhet të jetë një paralele që duhet të na shoqërojë vazhdimisht.
Sistemi i ringritur ose i rishikuar sot për sot është një Agjenci Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila funksionon nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes që është autoriteti që koordinon të gjitha forcat, të gjitha institucionet që kanë një rol për të luajtur në përballimin e emergjencave”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Peleshi vuri theksin në një koordinim më të mirë mes bashkive dhe institucioneve qendrore. Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë në funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar, në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën.
Në rast se kjo nuk ndodh, pastaj përmasa mund të jetë aq e madhe saqë edhe gjithë FA, të gjitha mjetet tona, apo të institucioneve të tjera mund të mos mjaftojnë”, u shpreh Peleshi. Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se qeveria ka menduar një mbështetje financiare mbi 20 milionë dollarë për Emergjencat Civile.
“Ne kemi këtë vit rreth 2,1 mld pra më shumë se 20 mln dollarë buxhet për Emergjencat Civile, e cila do të ndahet pak a shumë në mes, pra 1,1 mld do të thotë 11 milion dollarë do të jetë si transfertë e kushtëzuar për bashkitë, 600 milion do të transferohen në buxhetet tuaja nga Ministria e Financave përmes Ministrisë së Mbrojtjes”, – sqaroi ministri Peleshi.
Një risi gjithashtu, sipas ministrit Peleshi është edhe fondi prej 800 mln lekësh për investimet në fushën e Mbrojtjes dhe parandalimit të emergjencave civile, i cili do të transferohet tek bashkitë për projekte, që do të seleksionohen nga një komitet që do të ngrihet dhe do të bëjë përzgjedhjen e propozimeve nga njësitë vendore./Burimi: SCAN