Kosova e dyta ne rajon per rritjen e cmimeve te produkteve ushqimore
Javëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum.
Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere. Sipas ASK, norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9%.
“Bukë dhe drithëra me 1.5%, mish me 1.9%, qumësht, djathë e vezë me 7.7%, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2%, perime me 19.7%, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1%, pijet alkoolike me 3.8%, duhan me 2.7%, gaz me 10.6%.
Lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6%, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7%, shërbime për transport me 2.2%, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3%, pushime të organizuara turistike me 8.9%, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6%”, thuhet në raport.
Gjatë këtij muaji, një litër vaj ushqimor kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.54 euro. Gjatë shtatorit të 2020, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.42 euro, kurse 30 copë vezë gjatë shtatorit janë shitur 2.57 euro nga 1.95 euro.
Me inflacion kuptojmë rritjen e vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm te çmimeve. Nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.
Në vend të parë qëndron Serbia me normë të inflacionit prej 5.7%, ndërsa në vend të tretë është Bullgaria me një inflacion prej 4.8%. Maqedonia e veriut është e katërta me 3.7%, ndjekur nga Kroacia me 3.3% dhe Bosnja e Hercegovina me 3%.
Listën e vendeve e me normën më të lartë të rritjes së çmimeve e mbyll Mali i Zi dhe Shqipëria me 2.9% përkatësisht 2.5%. Në muajin shtator, inflacioni në vendet e BE ishte 3.6%, kurse në Eurozonë kjo normë ishte 3.4%.
Pa rritjes së çmimeve në Kosovë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) thotë se kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend. “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë.
Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj, nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagimin e BSPK. /Burimi: Telegrafi