Secondary Adv

Ministria terhiqet nga ndryshimet per taksimin e qumeshtit pluhur

Ministria e Financave ndryshon paketën fiskale 2022 pas takimeve konsultative me shoqatat e biznesit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë dhe sipërmarrës të prodhimit vendas.

 

Ndryshimet janë reflektuar në projektligjin “Për taksat kombëtare” që vendos taksë për qumështin pluhur që përdoret për tregti në vlerën 100 lekë/kg.

 

Në draftin e publikuar nga Kuvendi është shtuar neni 4 i cili përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga AKU. Një tjetër ndryshim është edhe vendosja e taksës për pijen e homogjenizuar në vlerën 16 lekë për litër.

 

Vendosja e taksës kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara dhe përjashtimin nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur u propozuan nga DHTIT në ndihmë të sektorit të përpunimit të qumështit.

 

Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), Nikolin Jaka pohoi për Monitor se ndryshimet e miratuara nga Ministria e Financave ndihmojnë prodhimin vendas.

 

“Ndryshimet në draftin “Për taksat kombëtare” vijnë pas debatit të shoqatave të biznesit, Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësues të industrive me Ministrinë e Financave për paketën fiskale 2022. 

 

Ndryshimet e propozuara së fundmi e ndihmojnë prodhuesin vendas”. Paketa e re fiskale e prezantuar fillimisht nga Ministria e Financave me grupet e interesit shkaktoi debate dhe pakënaqësi te sipërmarrësit.

 

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe kompani prodhuese të çimentos pohuan se ndryshimet e propozuara penalizojnë prodhimin vendas, do të shtojnë fluksin e mallrave të importit dhe do të rrisin çmimet e produkteve ushqimore deri 30%.

 

Nga DHTIT në mbështetje të sektorit të qumështit ndër të tjera është propozuar:

-Fabrikat e përpunimit të qumështit, etiketën e produktit duhet ta kenë të miratuar nga Agjencia e Kontrollit Ushqimor AKU, sipas kartës teknologjike.

 

-Të paguhet taksë kombëtare 15 lekë/litër për të gjitha produktet e qumështit që importohen në Shqipëri, ku përbërja të rezultojë më pak se 95% qumësht lope.

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për të gjithë sasinë e kremit të qumështit që importohet në Shqipëri.

 

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për hirrë qumështi që importohet në Shqipëri.

-Të paguhet taksë kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista)

 

Me paketën e re u propozua heqja e TVSH-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret.

 

Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litri nga zero që është aktualisht. Mbështetur në rekomandimit e FMN është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto.

 

Projektligji “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ministria-e-financave-terhiqet-nga-ndryshimet-per-taksimin-e-qumeshtit-pluhur-drafti-i-dorezuar-ne-kuvend-perjashton-nga-taksa-fabrikat-vendase/


Më të lexuarat