Porto Romano, miratohet koncensioni per perpunimin e hidrokarbureve
Miratohet koncensioni për Porto Romano, kontrata është për një periudhë 35 vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milion dollarë në fillim dhe në periudhën e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim shfrytëzim dhe transferim)të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (MULTI BUOY MOORING)”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete. Në fjalën e tij, z. Haxhinasto bëri një prezantim të projektligjit duke theksuar se kjo është një nga kontratat koncesionare që ndërlidh tre ministri. “Kjo është një kontratë BOT, pra ndërto, opero dhe transfero. Është një për një periudhë 35 vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milion dollarë në fillim të investimit dhe në periudhë e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës.
Arsyeja e realizimit të këtij investimit ka të bëj me një kufizim, një limitim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure që kushtëzohet nga thellësia e kufizuar e porteve tona. Ky investim do ta rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme mundësinë tonë të operatorëve provat shqiptar për të realizuar import eksporte të produkteve hidrokarbure”,- theksoi ndër të tjera ministri Haxhinasto. Projektligji do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.