
Bankat ne Kosove reduktojne deget e bankomateve
Kosova është vendi me më pak degë bankare në rajon.
Më së shumti degë bankare ka Mali i Zi, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve, e njohur si ATM.
Në vitet e fundit, bankat në Kosovë në mënyrë të vazhdueshme i kanë reduktuar degët dhe infrastrukturën e ATM, duke e vështirësuar kështu qasjen qytetarëve në shërbimet bankare.
Ky problem është potencuar në dokumentin “Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë”, i hartuar së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës. Në këtë strategji thuhet se në përgjithësi, infrastruktura bankare është e koncentruar në kryeqytet dhe qytetet e mëdha.
Deri në vitin 2017, numri i degëve të bankave për 100,000 banorë të moshës madhore është zvogëluar në 16.8 në krahasim me 20.6 sa ka qenë në vitin 2015. Kjo e bën Kosovën vendin me më së paku degë bankare në rajon.
Më së shumti degë bankare në 100,000 banorë ka Mali i Zi, përkatësisht 43.6, e pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 28.3, Serbia me 28.2, Maqedonia Veriore 25.6, dhe e parafundit Shqipëria me 20.6.
“Shifrat e sipërme paraqesin një zvogëlim të numrit të degëve nga ana e bankave. Edhe pse Ligji për Sistemin e Pagesave përmes nenit 13, lejon bankat që të përdorin agjentët, kjo mundësi nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm në praktikë”, thuhet në këtë strategji.
Ngjashëm as infrastruktura e ATM dhe POS nuk është zhvilluar mjaftueshëm në Kosovë, krahasuar me vendet tjera të rajonit. Numri i ATM për 100,000 të rritur është 35.3, ndër më të ultën në rajon.
Përderisa numri i terminaleve POS për 100,000 të rritur është 642, prapë në nivelin më të ulët në krahasim me rajonin, me përjashtim të Shqipërisë. Mali i Zi prinë me më së shumti terminale POS apo 87 sosh për 100 mijë banorë.
“Krahasuar me vitin 2015, në vitin 2018 numri i ATM për 100,000 të rritur është zvogëluar nga rreth 40 në 35.3 përderisa numri i terminaleve POS për 100,000 të rritur është rritur nga 540 në 642.
ATM përdoren kryesisht për tërheqjen e cash, ku vetëm rreth 15% të numrit total të ATM ofrojnë shërbimin e transferimit të fondeve. Terminalet POS përdoren kryesisht për pagesat me kartela në pikat e shitjes së tregtarëve, edhe pse së fundi disa nga bankat kanë filluar me ofrimin e shërbimit të tërheqjes së cash në pikat e shitjes”.
Sikurse edhe te degët bankare, edhe këtu është problem në vete shpërndarja gjeografike e ATM dhe terminaleve POS. Deri në fund të 2019 rreth 34.6% e ATM dhe 41.5% e terminaleve POS ishin të koncentruara në rajonin e Prishtinës, një dallim i madh me komunat tjera.
Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,391 punëtorë.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bankat-ne-kosove-reduktojne-deget-dhe-infrastrukturen-e-bankomateve/
Më të lexuarat








