Secondary Adv

Fatura reale e Arbitrazheve arrin ne 388 milione euro

Fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të 2020.

 

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave. 

 

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje në vlerën 388,479,560 euro janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje në vlerën 10,651,257 euro janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH.

 

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit.

 

Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

 

“Zbatimi i këtyre vendimeve në Shqipëri bëhet pas njohjes së tyre nga gjykatat e apelit vendas, në  çdo rast ekziston mundësia që pala paditëse, për zbatimin e këtyre vendimeve, t’i drejtohet gjykatave të shteteve të tjera, ku shteti shqiptar disponon të drejta”, raportoi KLSH.

 

Nga ana e saj në raportin e mes vitit të Ministrise së Financave lidhur me detyrimin total të akumuluar për Arbitrazhet Ndërkombëtare raportoi një vlerë prej 109.5 milionë eurosh.

 

Në raportin vjetor të 2020, nga Ministria e Financave raportohet se vlera e paguar për arbitrazhet më 2020 ishte vetëm 33.3 mln lekë dhe nuk jepet informacion për detyrimeve për vendime në pritje të nxjerrjes së VKM si detyrime kontingjente për buxhetin e shtetit.

 

KLSH raportoi se, nga auditimi në Aparatin e MFE rezulton se Ministria nuk ka informacion për vendimet në pritje për pagesë.

 

Në auditimin e kryer në Avokaturën e Shtetit, sa i takon vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rezulton se deri më 31.12.2020 janë të pa ekzekutuara 7 vendime në vlerën 17,956,320 Euro dhe të paktën 1,675,938 Euro kamatëvonesa potenciale, të përllogaritura deri në datën e përfundimit të auditimit.

 

Gjithashtu konstatohet se për ekzekutimin e këtyre vendimeve, nuk janë zbatuar afatet 3 mujore sipas Ligjit për avokaturën e shtetit të ndryshuar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fatura-e-vendimeve-te-gjykatave-nderkombetare-arrin-388-mln-euro/


Më të lexuarat