Aeroporti i Rinasit, ne 2 jave nuk ka me ekskluzivitet fluturimesh, drejt zhvillimit 3 te tjere
Pas dy javëve pritet që të hiqet ekskluzivitetit i Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ç’ka pritet t’i hapë rrugën zhvillimit të aeroporteve të tjerë në territorin shqiptar.Lajmin e bëri të ditur dje, në një emision televiziv, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
“Së bashku me ministrin Haxhinasto besoj në krye të dy javëve do të deklarojmë zyrtarisht me konçesionarin që kemi rënë dakord për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Dhe menjëherë pas kësaj mund të fillojmë me Kukësin dhe menjëherë pas kësaj, mund të fillojmë me procedurat e aeroportin e Vlorës apo Sarandës”, deklaroi Ahmetaj.
Sipas ministrit, ka kërkesa për aeroportin e jugut, ku të paktën katër kompani të ndryshme, kanë shprehur interes për aeroport në Sarandë, apo në Vlorë. Për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, sipas ministrit, në infrastrukturë ka investime serioze si dhe në turizmin malor. “Tani ngelet që të kalojmë në fazën tjetër, të tërheqim resorte me emra seriozë në industri dhe të kalojnë në një element të ri, ku mjetet motorike detare ta shohin detin shqiptar si shtëpi, pra si destinacion”, tha Ahmetaj.
Nisur nga fakti që hapësira detare shqiptare është e pashfrytëzuar, ai deklaroi se “shumë shpejt do të shkruajmë një ligj për t’a bërë flamurin shqiptar në anijet turistike shumë të lirë për t’u marrë në mënyrë që portet shqiptare të jenë shtëpi dhe destinacion i një numri të madh jahtesh”. Në këtë drejtim, ministri i MZHETTS tha se, “në fund të këtij muaji fillojmë të shkruajmë ligjin”./ATSH