
Legalizimet, brenda 1 viti jane kompensuar 2700 pronare
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, njoftoi dje se për një vit janë kompensuar me paratë e legalizimeve 2754 ish-pronarë.Më konkretisht, për periudhën maj – dhjetor 2014, u kompensuan 460 ish-pronarë.
Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë përfshirë në procesin e kompensimit 2290 ish-pronarë. “Një prej elementeve thelbësore të procesit të legalizimeve, ka qenë dhe mbetet koordinimi i procesit të legalizimeve me atë të kompensimit të pronarëve që u është zënë trualli nga këto ndërtime”, deklaroi Lame.
Por nga ana tjetër, Lame ka përmendur edhe përfitimet e qytetarëve që legalizojnë objektet informale. “Kujtoj këtu se i vetmi detyrim që u mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall jo të tyrin, pra shtet apo me pronar, është pikërisht pagesa e truallit. Në këtë pagesë, qytetarët përfitojnë një sërë uljesh, pasi çmimi i truallit përllogaritet deri në 2.000 lekë/m2, pavarësisht nga vlera e tregut; ai përfiton ulje 20% për pagesë të menjëhershme; deri 50% mund të paguhet me letra me vlerë; etj”, tha Lame. Të gjitha këto masa, shtoi kreu i ALUIZNI-t, kanë bërë që qytetarët e interesuar të përfshihen masivisht në procesin e pagesës së truallit, me qëllimin përfundimtar legalizimin dhe formalizimin e pronës së tyre.
Të ardhurat
“Sot, pas një viti e gjysmë të operimit të kësaj skeme, do të doja të publikoja disa shifra rreth realizimit të të ardhurave nga ky proces. Për periudhën maj – dhjetor 2014, u arkëtuan 307 milionë lekë. Ndërsa për periudhën janar – gusht 2015, janë arkëtuar 1,4 miliardë lekë”, njoftoi Lame. “Është vendi të kujtoj se plani vjetor sipas buxhetit të shtetit ka qenë 1 miliard lekë dhe, me këto ritme pagesash, parashikojmë që deri në fund të vitit ai të realizohet mbi 160%”, premtoi kreu i ALUIZNI-t. Pasi përgëzoi stafin e ALUIZNI-t, për tejkalimin e një objektivi të tillë, Lame tha se “një realizim i tillë është një shenjë e qartë e besimit të publikut te procesi i legalizimit dhe te skema e adoptuar nga qeveria e sotme për mënyrën e operimit”.
Po ku shkojnë këto të ardhura? Në zbatim të ligjit të vitit 2010 “Për krijimin e Fondit Special të kompensimit të pronave”, e gjithë shuma e arkëtimeve, ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimit. Në këtë proces, edhe paratë që grumbullohen nga trualli shtet, shkojnë për të plotësuar shpërblimin e ish-pronarëve. “Veç kësaj, shteti, përmes ALUIZNI-t, kontribuon edhe në paqen sociale midis shqiptarëve, duke grumbulluar paratë nga parcelat e zëna dhe duke ua shpërndarë pronarëve të tyre. Dhe duke shmangur në këtë mënyrë përplasjen midis tyre”, shpjegoi Lame.
“Procesi i legalizimeve ka krijuar besim edhe te kjo shtresë qytetarësh, e cila prej vitesh ishte zënë në kurthin pa dalje që truallin as e gëzonte dot se u ishte zënë, e as mund të kompensohej, sepse procesi i legalizimeve kishte ngecur”, tha Lame. Nëpër drejtoritë tona rajonale, si edhe në Drejtorinë e Përgjithshme, vazhdoi Lame, janë depozituar një numër i madh kërkesash të ish-pronarëve që ju është zënë trualli me ndërtime pa leje dhe që kërkojnë përshpejtimin e procesit të legalizimit, pikërisht me qëllimin që ata të përfitojnë kompensimin financiar për truallin e zënë. Lame veçoi drejtoritë rajonale të Fierit, Durrësit, Vlorës, Tiranës dhe Shkodër për nivelin e lartë të arkëtimeve. Të gjithë këtë proces, ne e shohim si pjesë e reformës së madhe të qeverisë për formalizimin e pronës dhe ekonomisë”, deklaroi Lame.
Arkëtimet
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-1, 425 milionë lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, 370 milionë lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë, 133 milionë lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Fier, 101 milionë lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana-3, 80 milionë lekë.
Drejtoria e ALUIZNI-t Shkodër, 72 milionë lekë.
Më të lexuarat








