Shitjet e bizneseve rane ne pandemi, 932 mln euro me pak
Në 2020 të ardhurat nga shitjet e bizneseve shënuan rënie me 932 mln euro në krahasim me 2019 raportoi INSTAT.
Xhiroja totale e bizneseve arriti në 18,4 miliardë euro me tkurrje 5.1% në krahasim me 2019. Rënia e aktivitetit lidhet me efektet negative të pandemisë Covid-19, ku gjatë gjysmës së parë shumica e bizneseve mbyllen tërësisht aktivitetin për gati 3 muaj, ndërsa kufizimet në lëvizje që shoqëruan të gjithë 2020 shkaktuan tkurrje të shitjeve, sidomos në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve në tërësi.
Gjithashtu ndërmarrjet prodhuese në vend tkurren shitjet si pasojë e rënies së kërkesës nga jashtë dhe vështirësive në transport si pasojë e kufizimeve.
Kontributin më të madh në rënien prej 5,1% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me -3,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me -2,0 pikë përqindje.
Gjatë 2020, sektori i tregtisë zuri peshën më të lartë të shitjeve neto me 48,0%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12,0%. Sektorët me peshën më të vogël ishin sektori i industrisë nxjerrëse (2,3%) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5%).
Sipas madhësisë shihet se ndërmarrjet e vogla e kanë përballuar me mirë pandeminë. Ndryshe nga grupimet e tjera, ndërmarrjet me 1 deri në 4 të punësuar rriten shitjet me 2.3 % vitin e kaluar.
Rënia e xhiros ishte gjithashtu më e butë në ndërmarrjet me 5-9 të punësuar me rreth 0,9% në krahasim me 2019. Rënia e shitjeve rezultoi të ishte më agresive në ndërmarrjet 10-49 të punësuar me rreth 7.4% dhe ndërmarrjet e mëdha me mbi 50 të punësuar të cilat shënuan tkurrje të të ardhurave me 7.4%.
Pandemia ndryshoi strukturën e shpërndarjes së të ardhurave dhe punësimit vitin e kaluar. Disa sektorë pësuan rritje të xhiros, fitimit dhe punësimit si rrjedhoje e kërkesës që gjeneroi pandemia.
Bizneset e lidhura me TIK dhe kompjuterët shënuan rritje të shitjeve mbi 30% gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 si pasojë e zhvillimit në distance të disa aktiviteteve të tilla si arsimi.
Gjithashtu frika për izolime më të gjata, çoi në mbi furnizime me ushqime e për rrjedhojë bizneset e zinxhirit ushqimor në shitjen e me pakicë e shumicë rriten shitjet gjatë pandemisë.