Secondary Adv

Kosova pritet te miratoje dozen e trete te vaksines Covid

Vendimi për dozën e tretë dhe dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit pritet të merret shumë shpejt edhe në Kosovë.

 

“Është çështje ditësh marrja e vendimit, pasi Komiteti për imunizimin e popullatës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave të treta. Dozat e tilla kanë nisur të jepen në shumë vende të botës, pas rekomandimeve nga OBSH dhe rregullatorë të tjerë shëndetësorë.

 

Dozë përforcuese është ajo që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar, për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes që mund t’i ketë rënë me kalimin e kohës. Dozë e tretë konsiderohet ajo që i jepet dikujt që nuk ka krijuar përgjigje të fuqishme imunitare nga seritë e para të vaksinimit.

 

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 10 nëntor më shumë se 745,000 qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme – i kanë marrë nga dy doza të vaksinës.

 

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga OBSH dhe Agjencia Evropiane e Barnave. Autoritetet shëndetësore në Kosovë konfirmuan të mërkurën se kanë identifikuar variantin Delta Plus të koronavirusit në 12 mostra.

 

Ky variant, i identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator, është duke u monitoruar nga shkencëtarët për të parë nëse është më ngjitës ose më vdekjeprurës se variantet e tjera.

 

Doza e tretë e vaksinës ka nisur tashmë të ofrohet në disa vende të Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe Serbi. Për dallim prej Kosovës, vendet e rajonit po përballen me situatë më të rëndë epidemiologjike.

 

Për krahasim, shkalla e pozitivitetit të rasteve në Kosovë aktualisht është nën 1 për qind, ndërsa në Mal të Zi është rreth 20 për qind. Në Evropë, Gjermania, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania dhe vende të tjera kanë raportuar këtë javë shifra rekorde të të infektuarve./Burimi: REL


Më të lexuarat