Nga 21 shtatori regjistrimi i bizneseve mund te behet edhe ne noteri
Noterëve u shtohet edhe një punë e re, regjistrimi i bizneseve. E detyruar nga numri i lartë i kërkesave për regjistrim, Qendra Kombëtare e Regjistrimeve ka ofruar, duke filluar nga dita e hënë, një alternativë tjetër, regjistrimin online pranë zyrave noteriale.
Procesi që do të kryejnë noterët ka të njëjtën vlefshmëri si regjistrimi në sportelet e QKR-së. Pas një marrëveshjeje të bërë me Dhomën Kombëtare të Noterëve, zyrat e noterëve në mbarë vendin do të shërbejnë edhe për regjistrimin fillestar të bizneseve. Drejtorja e QKR-së, Vasilika Vjero, si dhe kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi, përmes një deklarate për shtyp nga Ministria e Ekonomisë vlerësuan këtë bashkëpunim, i cili do të lehtësojë biznesin në të gjithë vendin. Sipas Vjeros, në të gjithë vendin janë rreth 400 zyra noteriale, ndër të cilat 200 janë në Tiranë, ku edhe fluksi për regjistrim është edhe më i lartë.
Regjistrimi online përmes zyrave noteriale për të gjithë personat fizikë do të nisë nga dita e hënë, 21 shtator. Për të bërë këtë aplikim nevojitet një mjet identifikimi, pasaportë biometrike, ose kartë identiteti, adresa e saktë ku do të ushtrohet aktiviteti, si dhe një postë elektronike personale ose e biznesit. Noterët, sipas marrëveshjes së arritur, do të asistojnë biznesin deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare nga QKR-ja për mbylljen e aplikimit. Vjero, duke vënë theksin në faktin se regjistrimi online është po aq i vlefshëm sa edhe ai pranë zyrave të QKR-së tha se nga data 1 shtator janë regjistruar 20% e biznesit në mënyrë elektronike.
Në dy javët e para të muajit shtator, tha Vjero, janë regjistruar 8300 biznese, ndërsa si 9-mujor janë regjistruar 23 mijë biznese, ose 75% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndërsa në periudhën korrik-shtator janë regjistruar 15 mijë biznese. Ndërkohë, edhe kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Sadushi, vlerësoi këtë marrëveshje që, sipas saj, sjell lehtësim të procedurave për biznesin. Sadushi tha se regjistrimi online do të ketë kosto minimale për biznesin.
Si bëhet aplikimi pranë noterëve Aplikimi do të mundësohet tërësisht nëpërmjet portalit qeveritar albania.al. Noterët do të asistojnë të gjithë individët ose subjektet tregtare në plotësimin e të dhënave të detyrueshme dhe vullnetare, sipas formularëve përkatës të regjistrimit deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare mbi aplikimin. Aplikimi për regjistrim do të kryhet vetëm nëpërmjet mjeteve të sigurta të identifikimit (pasaporta biometrike apo karta e identitetit). Të gjitha subjektet tregtare, gjatë plotësimit të të dhënave, duhet të bëjnë kujdes kur deklarojnë adresën ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, si dhe dhënien e adresës së postës elektronike vetjake (pra email-in e tyre personal ose të punës).