Secondary Adv

Ministria e Financave paralajmeron heqjen e perjashtimeve te taksave

Në komisionin e Ekonomisë gjatë diskutimit për paketën fiskale 2022, ministrja e Financave tha se përjashtimet nga taksat do hiqen për të gjithë sektorët e ekonomisë.

 

Ministrja e Financave Ibrahimaj paralajmëroi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke hartuar strategjinë afatmesme të mbledhjes të të ardhurave, ku parashikon heqjen e të gjitha përjashtimeve që janë miratuar ndër vite.

 

Ndryshimet sipas ministres Ibrahimaj nuk bëhen për rritjen e të ardhurave, por të mbyllur rrugët e abuzimit. “Në paketën fiskale të gjitha masat që përjashtohen në lidhje me përjashtimet janë të bazuara në rekomandimet e FMN dhe direktivat e BE.

 

Është një rekomandim i fortë që i ka ardhur Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, ku nxitja e sektorëve nuk duhet parë nëpërmjet reduktimit të taksimeve, por me skema të tjera.

 

Në strategjinë afatmesme të mbledhjes të ardhurave që është duke u punuar nga Ministria e Financave, ky parim është i shtrirë në të gjithë sektorët për përjashtimet që qeveria ka marrë ndër vite.

 

Strategjia e re ende nuk ka përfunduar. Ne kishim një strategji që ishte përfunduar në 2019, por për shkak të pandemisë na është dashur që t’i shtyjmë afatin e zbatimit të përjashtimeve.

 

Logjika në të ardhmen do të jetë që do të hiqen të gjitha përjashtimet e taksave dhe sektorët do të nxiten nëpërmjet skemave subvencionuese”, tha ministrja e Financave Ibrahimaj.

 

Për ndryshimet në projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” që heq TVSH e kreditueshme 6% znj. Ibrahimaj tha se do të zëvendësohet me skema nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

“Si me rastin e heqjes të kompensimit të TVSH 6% apo në rastin e TVSH për imputet bujqësire e gjithë vlera që mblidhej nga administrata tatimore apo doganore nga këto përjashtimeve i është kaluar Ministrisë të Bujqësisë për të nxitur prodhuesit dhe fermerët.

 

Për akcizën e gazit 6 lekë për litër për përdorime biznese nga zero që është aktualisht ministrja tha se është rekomandim i FMN, pasi është në nivelet më të ulëta të vendeve të be.

 

Në ndryshimet për projektligjin “Për taksat Kombëtare” në variantin fillestar ministria e Financave dhe Ekonomisë propozoi taksim 100 lekë për kg të qumështit pluhur.

 

Në draftin e prezantuar në Kuvend u ndryshua propozimi i mëparshëm, duke përjashtuar nga kjo taksë fabrikat vendase dhe vendosjen 16 lekë për litër për pijet e homogjenizuara.

 

Ibrahimja tha se taksa u vendos për të mbrojtur prodhimin vendas dhe cilësinë e tij. “Rritja e lartë e importit të qumështit pluhur gjatë viteve të fundit na ka shqetësuar duke vendosur pikëpyetjen e përdorimit të qumështit pluhur”.

 

Paketa e re fiskale e prezantuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me grupet e interesit shkaktoi debate dhe pakënaqësi te sipërmarrësit.

 

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, DHTIT, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe kompani prodhuese të çimentos pohuan se ndryshimet e propozuara penalizojnë prodhimin vendas, do të shtojnë fluksin e mallrave të importit dhe do të rrisin çmimet e produkteve ushqimore deri 30%.

 

Me paketën e re u propozua heqja e TVSH të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret.

 

Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litri nga zero që është aktualisht. Mbështetur në rekomandimit e FMN është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto.

 

Projektligji “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/paketa-fiskale-2022-ibrahimaj-ne-te-ardhmen-do-te-hiqen-te-gjitha-perjashtimet-e-taksave-sektoret-do-nxiten-nga-skemat-subvencionuese/


Më të lexuarat