Secondary Adv

Lehtesohen kushtet e kreditimit, rritet kredia e biznesit te madh

Kushtet e ofertës për kredi vijuan të përmirësohen edhe në tremujorin e tretë të vitit.

 

Në raportin e fundit të politikës monetare, BSH thekson se bankat tregtare kanë relaksuar më tej politikat e tyre të kreditimit ndaj bizneseve, më së shumti për ato të mëdha, si pasojë e rrezikut më të ulët të perceptuar për aftësitë paguese të tyre.

 

Në linjë me kriteret e lehtësuara në miratimin e kredive për bizneset, bankat aprovuan një numër më të madh aplikimesh në raport me totalin e aplikimeve për kredi nga ana e bizneseve. Kjo ecuri ka reflektuar përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe statusin e kredive aktuale.

 

Situatë e ngjashme e kushteve të ofertës së kredisë u evidentua edhe për individët. Kështu, në tremujorin e tretë, bankat lehtësuan standardet kryesisht në kreditë dhënë për blerjen e banesave.

 

Politikat lehtësuese të kreditimit për individët u shoqëruan edhe me kushte e terma më të favorshme si në elementet çmim, ashtu edhe jo çmim (shtim i madhësisë së kredisë, zgjatje e maturitetit të saj, si edhe kërkesa më të ulëta për kolateral) në segmentin e kredive për blerje banesash.

 

Treguesi i tretë që përafron lehtësimin e ofertës për kredi, shkalla e refuzimeve të kredive, u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit, kryesisht në reflektim të përmirësimit të aftësisë paguese të individëve, perceptuar si i tillë nga bankat.

 

Kërkesa për kredi nga bizneset ishte e lartë në tremujorin e 3, e përqendruar tek bizneset e mëdha. Zgjerimi i kërkesës për kredi nga ana e bizneseve ka reflektuar nevojat e shtuara për financimin e investimeve dhe mbulimin e nevojave për likuiditet, në mbështetje të përmirësimit të mëtejshëm të tablosë makroekonomike e financiare në vend.

 

Për tremujorin e fundit të vitit, bankat presin një tablo të ngjashme si në kushtet e ofertës ashtu edhe të kërkesës për kredi./Burimi: Scan


Më të lexuarat