Nis puna per tunelin e Llogarase, ja kur pritet te perfundoje
Nga 55 minuta që bëhet aktualisht Qafa e Llogarasë, përmes ndërtimit të tunelit do të bëhet vetëm për 7-10 minuta.
Në çelje të punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, nga Vlora kryeministri Edi Rama tha ky projekt plotëson gjerdanin e të gjitha investimeve të bëra në zonën e Labërisë. Sot, tha Rama, jetësohet projekti që ka 3 dekada që fle në sirtarë duke shkurtuar ndjeshëm kohën që do të përshkruhet e gjithë zonën e Jugut.
Duke u ndalur te një sërë investimesh në jug të vendit, Rama tha se synohet rritja e ofertës turistike, çka do të sjellë zhvillim ekonomik, pasi të gjitha investimet që nga rrugët, portet dhe aeroporte që pritet të nisin janë 'fabrika buke' për qytetarët dhe rritje e ekonomisë për vendin.
"Këto janë të gjitha ‘fabrika buke’ që sjellin hallka të reja të zinxhirit të vlerës. Në portin turistik të Vlorës do ketë shumë shërbime që do i kryejnë vendasit që do të thotë do ketë shumë vende pune, fluks të shtuar njerëzisht që do vijnë për të dalë, për të shëtitur, për të ngrënë, për të fjetur dhe do të sjellin para”, tha Rama.
Për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka fituar Konsorciumi turk, (bashkimi i kompanive Kompanitë turke Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ticaret Limited Sirketi dhe Asl Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirketi, ndërsa do të kushtojë 140 mln €!
Vetë kompania tha se do të përfundojë këtë afat për 33 muaj, nga 37 që ishte i planifikuar. Tuneli i Llogarasë lidh Urën e Shën Elizës me atë të Palasës me një gjatësi prej 5.9 km si dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra./Burimi: Shqiptarja.com