Secondary Adv

Perfundon rikonstruksioni i rruges se Kalase se Beratit

Me një investim prej rreth 3 milion dollarësh, të akorduara nga BB, ka përfunduar rikonstruksioni i plotë dhe zgjerimi i rrugës që të çon drejt Kalasë së Beratit.

 

Totalisht e shkatërruar prej vitesh dhe e shndërruar në një nga rrugët me aksidente të shumta, tashmë rruga e Kalasë së Beratit është shndërruar në një rrugë me parametra të larta bashkëkohore.

 

Tashmë kjo rrugë plotëson të gjitha parametrat e nevojshëm, jo thjesht për të përballuar të gjithë fluksin e turistëve që vizitojnë kalanë por në vetvete është një atraksion i shtuar për qytetin e Beratit pasi është një rrugë panoramike, prej së cilës mund të shihet nga lartësia qyteti.

 

Rruga tashmë ka të gjithë parametrat urban, është një rrugë ku mund të shkëmbehen lehtësisht dy autobuza, është një rrugë me trotuare, ndriçim, gjelbërim dhe gjithë elementët e nevojshëm për të garantuar një kalim të sigurt dhe të shpejtë në drejtim të kalasë.

 

Për kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, rruga e Kalasë së Beratit është një nga investimet më të rëndësishme në qytet, jo vetëm për cilësinë dhe parametrat e saj të lartë por edhe për impaktin që ajo sjell në turizëm.

 

Sipas Demos, nga pikëpamja e zhvillimit turistik të Beratit kjo rrugë ka një rëndësi strategjike pasi garanton që aseti kryesor që ka qyteti të jetë lehtësisht i aksesueshëm por edhe i sigurt gjatë aksesit, pasi vite më parë ka pasur mjaft raste të bllokimit të mjeteve apo aksidenteve në këtë aks, si rrjedhojë e kushteve jo të mira të rrugës.

 

“Rrugën e Kalasë ne arritëm ta përfundonim edhe duke prekur sezonin turistik sepse Berati edhe sot që flasim vizitohet nga shumë turistë. Agjensitë turistike që sjellin turistë të organizuar me autobuza e kanë pasur shumë të vështirë aksesin drejt Kalasë së Beratit sepse rruga ka qënë një shteg i ngushtë.

 

Ky është një lajm shumë pozitiv për qytetin, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë banorët e lagjes Kala por edhe të zonave përreth saj”- ka thënë Demo, i cili ka deklaruar më tej se ky investim i hap rrugën planeve edhe më të mëdha të invetimeve në të ardhmen në zonën e Kalasë, që mendohet të fillojnë brenda 2022./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat