Secondary Adv

KLSH kritika per doganat, te dhenat e sistemit te pasigurta

Në një auditim të kryer nga KLSH rezulton se të dhënat e sistemit doganor nuk administrohen nga Drejtoria e Doganave siç dhe parashikon ligji, por nga AKSHI.

 

Zhvillimi i veprimtarisë së këtij institucioni pa akte rregullatore sjell mospërcaktimin e përgjegjësive indicivuale për veprimet e kryera në sistemin doganor. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk disponon të dhënat bazë që gjenerohen prej sistemit doganor të njohur si "Asycuda".

 

Është ky përfundimi i dalë nga auditimi i KLSH në Drejtorinë e Doganave për periudhën 1 janar 2019 deri në 31 dhjetor 2020. Sipas raportit, aktualisht detyra e administrimit të të dhënave të këtij institucioni i është deleguar verbalisht në mungesë të plotë dokumentacioni specialistëve të AKSHI.

 

Por kalimi i strukturës së teknologjisë së informacionit në varësi të AKSHI, i ka vendosur Doganat në kushtet e një rreziku të lartë sigurie për humbjen apo tjetërsimin e të dhënave shtetërore.

 

Kjo sepse mes këtyre institucioneve nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e tyre. Vetë Drejtoria e Doganave nuk ka asnjë punonjës në strukturën e saj për ruajtjen dhe administrimin e të dhënave pavarësisht se e ka detyrim ligjor.

 

Një tjetër problematikë e konstatuar lidhet me fshirjen e gjurmës elektronike të auditimit për vitin 2019 me argumentin se madhësia e kësaj tabele bllokoi punën me sistemin e të dhënave "Asycuda World" për disa orë.

 

Sipas audituesve, për këtë veprim nuk ka asnjë shpjegim të dokumentuar nga kreu i Drejtorisë së Doganave. Kjo situatë sipas KLSH, rrezikon të përsëritet në të ardhmen sepse nuk janë ngritur mekanizma kontrolli që lidhen me funksionet e sistemit.

 

Mungesa e të gjitha këtyre akteve rregullatore sjell mospërcaktimin e përgjegjësive për veprimet e kryera në sistem. Gjithashtu nga auditimi është konstatuar se Doganat nuk kanë një plan vazhdimësie dhe plan rikuperimi për vijimin e shërbimit në rastet e fatkeqësive natyrore si ajo e tërmetit në 2019./Burimi: Oranews.tv


Më të lexuarat