Secondary Adv

Shteti dhe bizneset borxhlinjte me te medhenj ndaj OSHEE

Viteve të fundit kanë qenë 2 kategori tipike që vijojnë të rrisin stokun total të detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë.

 

Në fund të shtatorit OSHEE Group raportoi se borxhi ndaj saj nga katër kategori regjistroi në fund të shtatorit nivelin 76.9 miliardë lekë duke u rritur me 1.74 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

 

Përgjatë këtij viti kategoritë që kanë vazhduar që të rrisin borxhin janë institucionet buxhetore me një stok në fund të shtatorit në 4.5 miliardë lekë nga 4.1 miliardë që ishte në fund të vitit të kaluar.

 

Po kështu edhe insitucionet jo buxhetore ku bëjnë pjesë ujësjellësit, kompanitë e ndriçimit të qytetit që në fund të shtatorit kishin një detyrim të akumuluar prej 15.5 miliardë lekë gati 13.4 për qind më e lartë se ajo në fund të vitit të shkuar.

 

Sektori privat nga ana tjetër, që përfaqësohet nga bizneset kanë arritur në fund të shtatorit nivelin më të lartë të borxhit të akumuluar ndër vite të paktën që nga viti 2009 që janë të disponueshme shifrat e OSHEE.

 

Detyrimet e prapambetura të kësaj kategorie arritën 11.5 miliardë lekë me një rritje prej 3.7 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

 

Kategoria e familjarëve janë të vetmit që vijojnë të ulin stokun prej vitesh ku nga niveli prej 55 mld që ishte në 2014 kur edhe nisi reforma në sektor deri në fund të shtatorit të këtij viti është ulur në vlerën 45.4 miliardë lekë.

 

Vetëm në 2020 stoku pësoi një rritje të lehtë duke mos ndjekur ciklin rënës që kishte ndër vite diçka që u argumentua nga kompania e shpërndarjes me situatën e pandemisë, pamundësinë për të lëvizur normalisht gjatë karantinës apo vështirësitë financiare me të cilat mund të jenë përballur familjet në kulmin e COVID-19.

 

Detyrimet e prapambetura që familjarët kanë ndaj OSHEE janë reduktuar gradualisht përmes aplikimit të aktmarrëveshjeve ku përveç faturës korrente paguhet edhe një pjesë e detyrimit të prapambetur.

 

Në një fazë më të hershme nga ana e OSHEE u aplikuan edhe skema të pagesës së menjëhershme të borxhit duke reduktuar kamatëvonesat që ishin aplikuar në fatura. Situata e borxheve vijon të mbetet problematike për sektorin energjetik në një lidhje zinxhir mes vetë operatorëve.

 

Vështirësia me të cilën po përballen tani kompanitë dhe sidomos shpërndarja sa i takon shpenzimeve për import të energjisë e bëjnë edhe më të ndjeshme situatën e detyrimeve të prapambetura.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/borxhlinjte-e-oshee-se-shteti-spaguan-dritat-edhe-biznesi-rrit-stokun/


Më të lexuarat