Secondary Adv

Nuk do te kete kallezim penal per ata qe deklarojne evazionin fiskal

“Të penduarit” përfitojnë lehtësi edhe në fushën e evazionit tatimor. Projektligji i miratuar nga qeveria sanksionon mosbërjen e kallëzimit penal nga administrata tatimore për tatimpaguesit që tregojnë vetë fshehjen e të ardhurave.


Pra, ata që me vullnetin e tyre deklarojnë dhe për pasojë korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, në kushtet e konsumimit të nenit për evazionin tatimor, nuk do të kenë pasoja penale. Kjo vlen, pavarësisht periudhës që i përket deklarata tatimore, por me kushte që subjekti të paguajë menjëherë detyrimin përkatës. Shtesa në ligjin aktual konsiston në rritjen e vetëdeklarimit tatimor të tatimpaguesit për vetëkorrigjim dhe pagesa të detyrimeve tatimore. Por, tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore.


Fshihen gjobat në sistem
Projektligji propozon që tatimpaguesve t’u falen gjobat e vendosura automatikisht nga sistemi deri më 31 gusht 2015. Me implementimin e sistemit të ri të IT, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, subjektet janë ngarkuar me detyrim dhe janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore. Sipas draftit, subjekteve u falen gjobat dhe interesat e përllogaritura.


Me fillimin e zbatimit të sistemit të ri të IT së administratës tatimore u ngrit shqetësimi lidhur me dënimet që u janë vënë tatimpaguesve në momentin e vënies në funksion të sistemit C@TS. Për sa i përket vitit 2014, janë nxjerrë 2550 vendime dhe vetëm për periudhën prill – maj 2015 janë adresuar pranë kësaj drejtorie 4582 ankime, periudhë e cila përkon me përdorimin e këtij sistemi. Dënimet janë aplikuar për disa lloje të caktuara tatimesh apo taksash, të tilla si tatimi në burim apo taksa kombëtare. Tatimpaguesit janë regjistruar vetë nga administrata tatimore pa qenë në dijeni, gjë e cila bie në kundërshtim me të drejtën ligjore për njoftim.


Regjistrimi për këtë përgjegjësi tatimore nga vetë administrata, detyrimisht duhet t’u njoftohej tatimpaguesve dhe këta të fundit duhet të viheshin në dijeni për mënyrën dhe periudhën e dorëzimit të formularëve të deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim. Me implementimin e sistemit të ri tatimor dhe ndryshimet e legjislacionit, subjekti duhet të deklarojë tatimin në burim çdo muaj (edhe në rastet me vlerë 0), ndryshe nga si veprohej më parë. Për këtë arsye janë vënë penalitete për mosdeklarim të detyrimeve tatimore. Një vend të rëndësishëm për sa u përket kërkesave ankimore zënë edhe gjobat e mbartura ndër vite, për të cilat tatimpaguesit nuk kishin qenë në dijeni (pasi administrata tatimore nuk nxjerr njoftim) dhe që u bënë evidente me vënien në përdorim të sistemit të ri. Këto gjoba në disa raste përfshijnë dhe dënimet, të cilat ishin falur në vitin 2008.


Një çështje tjetër që ngrihet është dhe periudha e shkurtër që tatimpaguesit u vunë në dijeni për sistemin C@TS, procedurat për përdorim, si dhe pamundësinë e kryerjes së deklarimeve në periudhën janar 2015, gjë e cila solli dënimin me gjoba të shumta për tatimpaguesit. Periudha kohore që përkon me përshtatjen e tatimpaguesve me sistemin e ri, sipas hartuesve të projektligjit, nuk duhet të shoqërohet me gjoba. Ndërkohë, numri i tatimpaguesve që janë dënuar me gjoba për mosdeklarim në afat të deklaratave tatimore është thuajse 90%, së treti vënia e ndëshkimeve në mënyrë kaq masive, sipas propozuesve të draftit, cenon besimin e tatimpaguesve ndaj administratës tatimore dhe ul vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore. Po ashtu, numri i apelimeve është shumë i madh në një kohë shumë të shkurtër, gjë që ka sjellë pamundësi nga ana e Drejtorisë së Apelimit Tatimor për shqyrtimin e të gjitha këtyre ankesave.


Kontrolli tatimor
Në bazë të ligjit aktual, zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, Ñ– cili ka më shumë rrezik për ta shkelur ligjin. Pikërisht në këtë pikë propozohet që të shtohet se nëse tatimpaguesi ka të certifikuara, nga kompani të njohura audituese, pasqyrat financiare që dorëzon pranë administratës tatimore se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, subjekti përfshihet në elementet me risk të ulët. Lista e kompanive audituese, modeli i certifikatës dhe rastet kur këto kompani kontrollohen për çështje të caktuara, përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave. Kjo masë do të rritë dhe do të evidentojë bizneset e rregullta në vend, të cilat do të kenë më pak kontrolle e kosto kontrolli nga / për administratën tatimore./Gazeta Shqip


Më të lexuarat