Nis emetimi i eurobondit, ja norma e interesit qe synohet
Ka nisur në Bursën e Londrës procesi i emetimit të eurobondit të qeverisë shqiptare.
Sipas burimeve nga tregu synimi është që të emetohet një shumë prej 700 milionë eurosh, me një afat maturimi deri në 10 vjet. Mësohet se pritshmëritë janë pozitive dhe norma e pritshme do jete brenda nivelit 3.5 deri 4%, sipas vlerësimeve aktuale.
Deri në drekë do të zhvillohet i ashtuquajturi proces i “book”, që nënguptom grumbullimin e urdhrave që jepen nga nënshkruesit e eurobondit, JP, Morgan, Societe Generale, Intesa SanPaolo, për llogari të investitorëve që duan të blejnë.
Ky proces pritet të vazhdojë deri në drekë. Më pas ka një periudhë kur nuk jepet më info dhe përcaktohet cmimi, i cili mund të shpallet brenda ditës së sotme të punës dhe ka shumë pak mundësi që të shtyhet edhe për nesër.
Ky është eurobondi i pestë i qeverisë shqiptare. Dalja e parë ishte në 2010, me vlerë 300 milionë euro. Ajo arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe afat maturimi 5-vjeçar. Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015, për 450 milionë euro.
Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75%, me maturim 5-vjeçar. Dalja e tretë në 2018 për Shqipërinë në tregjet e kapitalit shënoi një interes më të favorshëm se Eurobondet e mëparshme.
Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro, me një kupon fiks prej 3.50% dhe afat maturimi 7-vjeçar. Në qershor të 2020-s, Shqipëria regjistroi daljen e katërt, ku u emetuan 650 milionë euro, me një ofertë nga investitorët rreth 3.2 miliardë euro, me kupon 3.5%, interes 3.625% dhe maturim 7-vjeçar.
Luhatja e interesave në emetimet e eurobondeve gjatë viteve ka qenë e lidhur me kushtet në tregjet ndërkombëtare në momentet përkatëse./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/eurobondi-ne-proces-synohet-nje-norme-interesi-3-5-4/