Secondary Adv

17 mije biznese te reja ne korrik - shtator

Rezultati më i dukshëm i aksionit antiinformalitet ka qenë dyndja e bizneseve për t’u regjistruar në dyert e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Vetëm në periudhën korrik-18 shtator janë regjisteuar rreth 17 mijë biznese të reja, ndërkohë që gjithë 2014-n janë regjistruar gjithsej rreth 16 mijë biznese, sipas të dhënave nga QKR dhe Ministria e Financave.


Por, sa të ardhura shtesë do të sjellin në buxhet deri në fund të vitit bizneset që u detyruan të formalizohen. Duke qenë se të paktën 98% e tyre janë të vogla, Monitor ka llogaritur taksat që mund të paguajnë ata deri në fund të vitit (shtator-dhjetor).


-Së pari, gjysma e tatim fitimit të thjeshtuar prej 25 mijë lekësh, 13460 lekë;
-Së dyti, sigurimet mujore për të punësuar, 6556 lekë për të punësuar (kemi llogaritur 1.5 të punësuar për çdo ndërmarrje të re të regjistruar).
-Së treti, tatimi mbi qiranë prej 15%. Duke marrë një mesatare qiraje prej 20 mijë lekësh në muaj (pasi ka dhe nga ata që punojnë në ambientet e veta), tatimi në muaj është 3000 lekë.


-Taksa e bashkisë, 3600 lekë (vjetore).
Në total, një biznes i regjistruar rishtazi duhet të paguajë rreth 70 mijë lekë taksa për shtator-dhjetor 2015, ndërsa në total 17 mijë biznese do të paguajnë gati 1.1 miliardë lekë në buxhet, apo rreth 8 milionë euro. Nëse marrim parasysh dhe marzhin e gabimit në llogaritje, apo dhe fluksin në vazhdim të regjistrimeve të reja (që pritet të jetë në rënie, pasi pjesa më e madhe e bizneseve nxituan të formalizoheshin në javët e para të shtatorit), të ardhurat shtesë mund të shkojnë në rreth 10 milionë euro (pwr 20 mijw biznese tw reja).


Kjo shumë është e barabartë me vetëm rreth 0.3-0.35% të totalit të të ardhurave buxhetore, që pritet të mblidhen këtë vit, sipas buxhetit të rishikuar! Vetëm detyrimet e kompanive të naftës (ARMO dhe tatimet që qeveria po përpiqet t’i marrë Bankers Petroleum, pas rishikimit të shpenzimeve) i kalojnë 100 milionë euro.


Gjatë gjithë kësaj kohe, ekspertët kanë mbrojtur idenë se përqendrimi i aksionit te biznesi i vogël nuk është eficient, ndërsa evazioni më i madh vlerësohet se është te taksa e punës, akciza dhe në dogana. Për më tepër që janë bizneeset e mëdha ato që japin kontributin më të madh në buxhet, ndërsa biznesi i vogël ka qenë një burim shumë i mirë vetëpunësimi.
Sipas INSTAT, ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, përbëjnë më shumë se 90% të totalit dhe kanë një rol të rëndësishëm në punësim, me rreth 35 përqind të të punësuarve gjithsej, por shumë më të ulët në ekonomi, pasi ata realizojnë rreth 16 përqind të shitjeve neto dhe po aq të investimeve. Ndërsa ndërmarrjet me 80 e më shumë të punësuar, ndonëse zënë vetëm 1% të totalit të ndërmarrjeve, kanë 31,5 përqind të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizojnë gati 40% të shitjeve neto dhe ajo që është më domethënëse kryejnë rreth 54% të investimeve.

 


Gjithsesi, të dhënat fiskale të shtatorit do të japin një ide të qartë të eficiencës së qeverisë në përpjekjet e saj antiavazion. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani pohoi në nisje të aksionit se qeveria pret të arkëtojë 330 milionë dollarë më shumë deri në fund të 300 ditëve kur është planifikuar finalizimi i aksionit.

Fluks i lartë regjistrimesh
Gjatë ditëve të para të muajit shtator në sportelet e QKR-së ka vijuar të ketë fluks gjithnjë e në rritje të subjekteve të cilët duan të regjistrohen. Numri mesatar ditor i veprimeve në sportel dhe online i kalon 2,700. Ministria e Financave ka njoftuar se sipas të dhënave operative, në muajin korrik 2015 janë regjistruar 831 (ose 70.9%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 1,151 (135.1%) më shumë sesa viti 2013.


Muaji gusht ka rritur ritmin e regjistrimeve, kështu janë regjistruar 4,221 (ose 569.6%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 4,371 (739.6%) më shumë sesa viti 2013. E njëjta situatë ndërgjegjësimi shënohet edhe gjatë gjysmës së parë të këtij muaji, sipas financave. Ritmet e regjistrimeve kanë kapur një tjetër stad me prezantimin publik të operacionit kundër informalitetit. Kështu deri me datën 18 Shtator, janë regjistruar 11,055 (ose 826.9%) biznese më shumë sesa shtatorin e plotë të vitit 2014 dhe 11,531 (1339.3%) më shumë sesa viti 2013./Monitor


Më të lexuarat