Secondary Adv

Demshperblimet per aksidentet, vendoset cmim tavan

Ndryshon mënyra e llogaritjes së përfitimit për dëmet jopasurore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) rishikon masën e dëmshpërblimeve në raste aksidentesh duke vendosur një formulë të re. Ndërkaq, ndryshon afati i kryerjes së pagesës. Gjithashtu, vendoset në ligj detyrimi i kompanive të sigurimit për aplikimin e sistemit “Bonus-malus”.


Këto janë pjesë e një drafti që propozon AMF për ndryshimin e ligjit ekzistues për sigurimin e detyrueshëm motorik. Projektligji synon edhe rregullimin e çështjes së dëmshpërblimeve jopasurore, të cilat deri më sot janë zgjidhur nga gjykata mbi bazën e Kodit Civil. Me këtë qëllim ripërcaktohet “Dëmi pasuror”, që sipas përkufizimit të ri, është dëmi i pësuar si rezultat i dëmtimit apo shkatërrimit të pronës, si dhe humbjes së të ardhurave si rezultat i vdekjes apo dëmtimeve trupore.


Afatet
Sipas draftit, siguruesi përgjegjës është i detyruar të trajtojë kërkesën për dëmshpërblim për dëme pasurore dhe jopasurore, brenda 60 ditëve nga data e plotësimit të dokumentacionit. Nëse ky afat nuk është respektuar, interesat mbi shumën e llogaritur nga shoqëria e sigurimit apo gjykata, fillojnë pas përfundimit të këtij afati. Ky afat për dëmet pasurore është dyfishuar, sepse në ligj detyrimi është 30 ditë. Ndërkohë, afati është ulur nga 90 ditë në 60 ditë për dëmet jopasurore. Gjithsesi, për dëme pasurore, kur shkalla e dëmtimit është e vogël, dhe vlerësohet deri në 200,000 lekë, AMF ka vendosur trajtim të përshpejtuar, brenda 14 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim.

Kontrata
Sipas projektligjit, pronari i mjetit motorik detyrohet të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet pasurore dhe jopasurore që mund t’u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti, me pasojë dëmtimin dhe humbjen e pronës, vdekjen, dëmtimet trupore dhe përkeqësimin e shëndetit. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm mbulon përgjegjësinë e të siguruarit, i cili për shkak të veprimeve apo mosveprimeve me faj të tij u shkakton dëm palëve të treta gjatë qarkullimit të mjetit në rrugë. Kontrata mbulon edhe dëmet, me pasojë vdekjen, dëmtimet trupore, përkeqësimin e shëndetit, shkatërrimin ose dëmtimin e sendeve personale të personave në mjetin motorik. Sipas draftit të AMF, drejtuesi i mjetit shkaktar të aksidentit, duke përfshirë këtu edhe trashëgimtarët ligjorë të tij, përjashtohen nga sigurimi për dëme si rezultat vdekjeje, dëmtimi trupor apo përkeqësim shëndeti shkaktuar vetë këtij drejtuesi si rezultat i këtij aksidenti. Ndërkaq, drejtuesi i mjetit i cili është konstatuar me shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në masën e dëmit, nuk mund të përfitojë më shumë se 50% të vlerës së dëmit të pësuar. Ndërkaq, përcaktohet “Kufiri minimal i përgjegjësisë”, i cili sipas draftit, është shuma maksimale e sigurimit që kompania merr përsipër nëpërmjet kontratës së sigurimit deri në kufirin e së cilës ai dëmshpërblen të gjitha palët e dëmtuara së bashku në një ngjarje sigurimi. I siguruari dhe siguruesi me marrëveshje me shkrim mund të parashikojnë një kufi më të lartë përgjegjësie. Kontrata e sigurimit, sipas pikës 1 të këtij neni, mbulon edhe dëmet pasurore dhe jopasurore që mund t’u shkaktohen këmbësorëve, çiklistëve, si dhe përdoruesve të mjeteve jomotorike që lëvizin në rrugë.

Ankesa dhe padia
AMF vendos në projektligj detyrimin për pritjen e përfundimit të ankimit administrativ te kompania siguruese, përpara se të bëhet padi në gjykatë nga pala e dëmtuar. Me ligjin në fuqi, në rast se kompania siguruese nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afateve, kjo e fundit ka të drejtë të ngrejë padi civile kundër siguruesit përgjegjës. Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit vetëm në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit. Drafti përcakton edhe shumën që përfiton avokati në këto procese. “Në asnjë rast vlera e shpërblimit për shërbimet e ofruara nga mbrojtësi ligjor, për dëmet e ardhura si pasojë e një ngjarje sigurimi nuk mund të kalojë 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar nga i dëmtuari”, thuhet në projektligj.

Sistemi “Bonus-malus”
AMF e vendos në ligj detyrimin e kompanive për vendosjen e tarifave sipas sistemit “Bonus-malus”. Tani, shoqëria e sigurimit duhet të përfshijnë sistemin “Bonus-malus” në përcaktimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta. Autoriteti i revokon shoqërisë licencën për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm, nëse nuk aplikon sistemin “Bonus-malus”. Projektligji saktëson se certifikata e historikut të dëmeve do të jetë në formë elektronike dhe u vihet në dispozicion të siguruarve.

Kufiri i mbulimit
Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar për dëme jopasurore, të shkaktuara nga një aksident

Ishte:
i) dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme e përhershme 1 000 000 lekë;
ii) dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera 500 000 lekë;
iii) dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme 2 000 000 lekë;
iv) dëmi ekzistencial, nga paaftësia totale e përhershme 1 500 000 lekë;
v) dëmi biologjik nga vdekja apo paaftësia totale e përhershme 1 000 000 lekë;

Bëhet:
i) dëmi biologjik do të jetë jo më shumë se 100 000 lekë për çdo 10 për qind të shkallës së paaftësisë të përhershme të pjesshme ose të përhershme të plotë;
ii) dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, do të jetë jo më shumë se 1/2 e dëmit biologjik;
iii) dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për secilin nga familjarët (prind, fëmijë, bashkëshort) do të jetë jo më shumë se 1/20 e dëmit biologjik;
iv) dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për secilin nga familjarët (prind, fëmijë, bashkëshort), për vdekjen e të afërmit do të jetë jo më shumë se 100 000 lekë;
v) dëmi moral dhe ekzistencial, për secilën formë, për shkallë paaftësie të përkohshme, do të jetë jo më shumë se 5,000 lekë për çdo muaj paaftësi.


Më të lexuarat