Legalizohen 3 pallate ne Durres, Lame thirrje bashkive
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës u ka bërë thirrje bashkive të mos japin më leje të reja ndërtimi investitorëve që nuk e çojnë deri në fund procesin e hipotekimit.
Lame tha se kërkesa për të mos ju dhënë leje ndërtimi ndërtuesve që shkelin rregullat dhe pasi shesin apartamentet u kthejnë shpinën qytetarëve, ka pasur për disa bashki por që jo gjithmonë është dëgjuar. Ai tha se këtë papërgjegjshmëri të investitorëve të ndërtimit e vuajnë vetë qytetarët në kurriz.
Për këtë arsye, tha Lame, këtyre ndërtuesve nuk u duhen dhënë leje të reja për aq kohë sa nuk ka mbyllur procedurat me objektet e vjetra. Këto deklarata Lame i bëri nga Durrësit, ku dorëzoi dokumentin e legalizimit banorëve për tre pallate të braktisur nga investitorët.
Banorët e tre pallateve prisnin certifikatën e pronësisë prej rreth 15-20 vjetëve. “Do i bëja një thirrje të fortë Bashkive në përgjithësi dhe konkretisht Bashkisë Durrës, që nuk mund të vazhdohet t’ ju jepen leje të reja ndërtimi subjekteve ndërtuese, kur kanë lënë pas vetes halle të tilla me qytetarët.
Në disa raste ne jemi përpjekur të bashkëpunojmë me Bashkitë duke ju dhënë listat e këtyre subjekteve dhe duke ju kërkuar në të njëjtën kohë që mos jepni leje ndërtimi pa mbyllur procedurat me objektet e vjetra.
Në disa raste na kanë dëgjuar edhe në disa të tjera jo, por po e përsëris publikisht kësaj here këtë thirrje bashkive. Mos jepni leje të reja ndërtimi këtyre subjekteve, pa mbyllur ato paraprakisht problemet që kanë lënë hapur me banorët objekte të tjera.
Për më tepër, problematika që nuk i kanë krijuar banorët, por i kanë krijuar vetë subjekte me kate shtesë, me shtesa anësore, e kështu me rradhë”, tha Lame./Burimi: Shqiptarja.com