Kredia per shtepi ne nivele rekord, me e larta qe prej 2015
Sipas Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit të tretë kredia për individë u rrit me 10.7%, duke vijuar trajektoren pozitive të nisur nga fillimi i këtij viti.
Ndikimin më të madh në rritjen e kërkesës për kredi nga qytetarët e ka blerja e shtëpisë. Referuar analizës së bankës 65% e portofolit të kredisë së dhënë për individët është me fokus blerje banese, nga 62% një vit më parë.
Ndërkohë vetëm në tremujorin e tretë korrik-shtator 2021 kredia për banesa është rritur me rreth 13%. Në vlerë monetare në fund të shtatorit totali i huasë së marrë për blerje shtëpie arriti në rekord me rreth 28.7 miliardë lekë ose rreth 238.6 milionë euro.
Në raport me 9-mujorin e 2020, kredia për shtëpinë është rritur me 90.2 milionë euro. Ky është niveli më i lartë i regjistruar sipas të dhënave të BSH që prej 2015, kur nisi raportimi për këtë tregues.
Konkretisht për periudhën janar-shtator 2016 niveli i kredisë me qëllim blerje shtëpie ishte rreth 127,6 milionë euro, në 2017 arriti 137.1 milionë euro, rritje që vijoi edhe në 9 mujorin e 2018 kur huaja ishte në nivelin 137,3 milionë euro, ndjekur me të njëjtën periudhë të 2019 me një total kredie për shtëpi 158.2 milionë euro.
Trendi i rritjes së kërkesës për kredi me qëllim blerje banese ka si shkak edhe çmimet e larta të apartamenteve në vend. Sipas BSH në 6 mujorin e parë të këtij viti çmimet e banesave u rritën me 6.7% në rang vendi krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit që shkoi.
Ky është paradoks në vend, pasi në një kohë që numri i ndërtimeve po rritet çdo ditë, vlera e apartamenteve shtrenjtohet edhe më shumë, ndërkohë që duhet të ndodh e kundërta.
Për të përballuar këto çmime të kripura qytetarët po i drejtohen gjithmonë e më shumë bankave dhe institucioneve jo-banka për të marrë kredi për blerje shtëpie.
KREDI PËR BLERJE BANESE
Janar-Shtator 2016 15,357 mld lekë 127,636,771 EURO
Janar-Shtator 2017 16,496 mld lekë 137,103,352 EURO
Janar-Shtator 2018 16,520 mld lekë 137,302,824 EURO
Janar-Shtator 2019 19,040 mld lekë 158,247,322 EURO
Janar-Shtator 2020 17,860 mld lekë 148,439,978 EURO
Janar-Shtator 2021 28,719 mld lekë 238,692,482 EURO
KREDIA PËR SHTËPI
Janar-Shtator 2020 148,4 mln euro
Janar-Shtator 2021 238,6 mln euro
Diferenca +90,2 mln euro
KREDI PËR BLERJE BANESE
Janar-Shtator 2016 127,636 mln euro
Janar-Shtator 2017 137,103 mln euro
Janar-Shtator 2018 137,302 mln euro
Janar-Shtator 2019 158,247 mln euro
Janar-Shtator 2020 148,439 mln euro
Janar-Shtator 2021 238,692 mln euro./Burimi: Shqiptarja.com