Secondary Adv

Cmimi i energjise ne Kosove mund te rritet me mbi 30 per qind

Fatura e energjisë elektrike për muajin prill të vitit të ardhshëm, qytetarëve të Kosovës do të mund t’iu vijë mbi 30 për qind më e lartë se aktualisht.

 

Këtë e konfirmojnë zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën. “Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme.

 

Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili do të jetë çmimi i importit? Cili do të jetë pastaj edhe prodhimi vendor? Kjo e determinon edhe rritjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

 

Evropa, tash e sa javë, është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë. Për rrjedhojë, konsumatorët janë duke marrë fatura shumë më të larta të rrymës.

 

Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.

 

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, në Serbi një kilovat orë kushton rreth 8 centë, në Maqedoni të Veriut po ashtu rreth 8 centë, në Bosnje e Hercegovinë rreth 9 centë, në Shqipëri rreth 9.5 centë dhe në Mal të Zi më së shtrenjti: rreth 10 centë.

 

Sipas zyrtarëve të KEDS, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

 

Katërfishimi i çmimit të energjisë së importuar

Përkundër shqetësimit të qytetarëve, në KEDS thonë se rritja e çmimit të rrymës do të jetë e domosdoshme, në rast se çmimet e importit të energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të larta.

 

Zëdhënësi i KEDS, Buzhala, thotë se rritja e konsumit në Kosovë është vërejtur qysh në muajin tetor – gjë që, sipas tij, e ka shtyrë këtë kompani të importojë energji elektrike me çmim 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë se vitin e kaluar.

 

“Në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë – të çmimeve aktuale të importit – kostoja shtesë do të jetë diku rreth 60 milionë euro, mirëpo kjo mund të rritet apo të zvogëlohet, varësisht edhe nga konsumi dhe prodhimi vendor”, thotë Buzhala.

 

Sipas KEDS-it, çmimi mesatar për megavat/orë për energjinë e importuar në muajin tetor të vitit 2020 ka qenë 49 euro, për dallim prej tetorit të këtij viti, kur ky çmim ka arritur në 242 euro.

 

Për të menaxhuar situatën e krijuar nga kriza energjetike, Qeveria e Kosovës ka krijuar një grup punues, që sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të ketë rol informativ dhe këshillëdhënës. Pjesë e grupit punues do të jenë të gjithë akterët e zinxhirit elektro-energjetik./Burimi: Telegrafi


Më të lexuarat